Ministry of Economy, Culture and Innovation

Deklaratë për shtyp 24 mars 2016

Për udhëzimin e MK “Për dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimi”

Udhëzimi i Ministrit të Kulturës  Nr. 5110, datë 13.10.2015 “Për dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimi” nuk ka asnjë lidhje me konçensionet, ashtu si nuk bëhet fjalë as për privatizim dhe shitje të monumenteve të kulturës.

Janë vetëm keqinterpretime dhe deformime që burojnë nga mosleximi i duhur i përmbajtjes së këtij akti. Këto janë akuza të pabaza që nuk mbeshteten në të vërtetën për  trashëgiminë kulturore. Nuk ka asnjë dispozitë në shkelje të kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi.

Udhëzimi i Ministrit të Kulturës  është detyrim ligjor që rrjedh nga zbatimi i ligjit për Trashëgiminë Kulturore, i ndryshuar dhe është hartuar brenda të gjithë kuadrit ligjor ekzistues.  Pas një periudhe 2 vjeçare, në analizë të situatës, diagnostikimit të emergjencës, shqyrtim të kostove, mundësive financiare,  Ministria e Kulturës ka hartuar udhëzimin, në vijim të një politike të qarte promovimi te TK dhe jo për t’iu përgjigjur kërkesave individuale, jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen.

Kujtojmë publikut se ministrat para kësaj qeverie kanë lëshuar disa udhëzime të tilla. Rezultojnë katër udhëzime nga katër ministra pararendës, z. Pango, z. Turku, z. Xhaferraj, z. Zhiti, të cilat i gjejmë të paplota, të pasiguruara me garancitë shtesë të posaçme për Trashëgiminë Kulturore. Këto kanë qenë më së shumti udhëzime të bëra në vijim të kërkesave të subjekteve private për përdorim dhe jo në mbrojtje të pasurisë kombëtare.

Nga viti 2009 dhe deri në  tetor të 2015 janë  hartuar modele të administrimit për shfytëzimin e monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimin. Rezultatet?

Udhëzimet paraprake krijonin hapësirë  për shkelje të ligjit.

Nuk siguronin mbrojtje të veçantë për monumentet.

Rezultuan modele menaxhimi të paplota.

Shembulli i Kalasë së Lezhës e tregon këtë më së miri, një nga kontratat e para të anulluara nga Ministria e Kulturës.

Trashëguam një situatë kur u lanë të rrënuara, të shkatërruara për 25 vjet. Mbyllëm një inventar që nuk ishte bërë prej 3 dekadash; 132 monumente mungonin që nga viti 1982. Këto të dhëna tregojnë se financat publike nuk mjaftojnë dhe nuk do të mjaftojnë edhe në vitet në vazhdim, edhe sikur të dyfishohet buxheti për të mirëmbajtur siç e meritojnë këto monumente.

Partneriteti publik-privat është sot një ndër format me të cila bëhet edhe administrimi i pasurive kulturore duke mbrojtur dhe garantuar interesin publik te pasurite kulturore ne radhe te pare dhe duke promovuar dhe rivleresuar thesaret e trashegimise ne radhe te dytë.

Udhëzimi i Ministrit të Kulturës  Nr. 5110, datë 13.10.2015 “Për dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimi” është më i plotë , më i kujdesshëm dhe mbrojtës i  monumenteve duke shtuar garanci të tjera në marrjen e vendimeve. Ndonëse ligji ia njeh Ministrit përgjegjës diskrecionin  e vënies në jetë të një projekti rijetëzimi MK e sotme e gjykon këtë proces të një rëndësie shumë të veçantë dhe prandaj jo vetëm ka hartuar një udhëzues shumë të detajuar, por edhe krijon një mekanizëm të ri,  siç është Komisioni i Posaçëm për Menaxhimin e Pasurive Kulturore, që s’është aspak detyrim ligjor, por vullnet i Ministrit të sotëm është edhe provë përgjegjshmërie, me të cilën ne e trajtojnë këtë çështje.

Në zbatim të legjislacionit shqiptar në fuqi, Ministria e Kulturës është mbështetur në modelet më të suksesshme të rijetëzimit dhe përdorimit të monumenteve të kulturës në Europë.

Kjo temë është përcaktuar edhe si temë qendrore dhe interes i përbashkët për UNESCON në mbledhjen e fundit të Ministrave  të Kulturës të gjithë vendeve të Europës Juglindore  dhe që do të trajtohet në vitin në vazhdim në presidencën e Shqipërisë dhe në bashkëpunim me UNESCO-n.

Vitin e kaluar MK ka studiuar shumë prej modeleve ekszituese në rajon dhe Europë, ku vlen të përmendet ,“Fondacioni Arena Verona (Arena di Verona)” .

Arena Verona  është një amfiteatër romak, ende në përdorim sot dhe është ndërkombëtarisht e njohur për shfaqjet e operas në shkallë të gjerë të dhënë atje . Kjo është një nga strukturat më të ruajtura të lashta të këtij lloji. Në ditët e sotme, për arsye sigurie, pjesëmarrja maksimale është 15.000 persona .

Udhëzimi i Ministrisë së Kulturës, në thelb të të cilit qëndron ideja e partneritetit  publik-privat, vjen pas analizës së detajuar të gjendjes se ku e kishim gjetur këtë sektor.  Institucioni ka pasur vështirësi në kuadrin ligjor për konkretizimin e këtyre bashkëpunimeve, prandaj MK është duke punuar për hartimin e një kuadri të ri ligjor të Trashëgimisë Kulturore.  Qëllimi institucional është për të kryer aktivitetet jofitimprurëse kulturore në interes të publikut, duke marrë parasysh kërkesat nga organizata jofitimprurëse dhe operatore të ndryshëm,  për bashkëpunim në fushën e trashëgimisë kulturore me qëlllim promovimin dhe rivlerësimin e trashëgimisë kulturore.{:}