Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=9826]

Shpallet sot organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar në datat 04-09 prill 2015, i cili do të zhvillohet në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, “Pasuri botërore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, një nga ngjarjet madhore të pasurisë shpirtërore, e cila realizon përfaqësimin më të plotë të hapësirave gjeografike të trashëgimisë kulturore shpirtërore mbarëkombëtare.

Organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2015 ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë jomateriale, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, të kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve, kulinarisë, etj, të krijuara prej shekujsh nga populli.

Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Jomateriale, në mbledhjen e saj të fundit në muajin korrik vendosi organizimin e FFKGJ.

Në zbatim të punës dhe të masave organizative për organizimin e Festivalit Folklorik Kombëtar, është hartuar Statuti i FFK 2015 dhe plani i veprimit “Për koordinimin e punës për organizimin e Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2015

Kjo veprimtari e rëndësishme kombëtare, do të jetë prioritet i çdo Qarku, Bashkie e Qendre Kulturore, për një prezantim dinjitoz të të gjitha grupeve pjesëmarrëse në festival.

Konkurrimi në FFK do të jetë në bazë qarku ku priten të marrin pjesë 12 grupe përfaqësuese të qarqeve, me rreth 50 artistë pjesëmarrës. Evidentimi dhe promovimi i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Minoriteteve është një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës. Në respekt të vlerave të diversitetit kulturor dhe të jetuarit së bashku, në programet e çdo qarku do të përfshihen edhe vlerat kulturore që kanë minoritetet dhe pakicat gjuhësore që kryejnë veprimtarinë e tyre brenda territorit të qarkut . Në FFK do të konkurrojnë edhe tri grupe artistike nga Kosova , dy grupe nga shqiptarët e Maqedonisë dhe një grup nga shqiptarët e Malit të Zi. Të ftuar do të jenë edhe grupe nga arbëreshët e Italisë, shqiptarët e Sh.B.A-së, Greqisë, Turqisë, Zvicrës, si dhe do të ketë një shfaqje nga Ansambi Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.

Anketimet e para të pjesëmarrjes dhe pritshmëritë e pjesëmarrjes në FFK të Gjirokastrës 2015 shkojnë në rreth 1200 artistë popullorë.

Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje madhore për vlerat e patjetërsueshme të trashëgimisë jomateriale Ministria e Kulturës po hedh hapat e parë të organizimit duke ndjekur hap pas hapi fazat e përgatitjes, duke besuar fort tek bashkëpunimi me të gjithë institucionet qëndrore përgjegjëse si: Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, specialistët e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit , si dhe me pushtetin vendor. Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit si institucion i specializuar në fushën e trashëgimisë kulturore do të vendosë kriteret shkencore të pjesëmarrjes, për të shmangur problemet e derisotme në denatyralizimin e muzikës folklorike, amatorizmin në prezantimin e veshjeve popullore, etj. Në fazën e para të përgatitjeve të FFK, Gjirokastër 2015 janë hedhur idetë e parë të realizimit artistik, duke rikonceptuar skenografinë, zgjerimin e skenave kulturore – artistike edhe jashtë ambienteve të kalasë, me synimin për më shumë spektatorët dhe vizitorë pranë monumenteve të kulturës.

Në organizimin e FFK përcaktohet ngritja e Jurisë, e cila do të vlerësojë me çmime grupet përfaqësuese në rang qarku, grupe zhanresh të ndryshme të folklorit, si dhe për individë apo bartës interpretues të ndryshëm. Gjithashtu janë parashikuar çmime për poezinë popullore më të mirë, grupi me veshjet më autentike popullore dhe për diversitetin kulturor.

Ministria e Kulturës dhe institucionet kombëtare në varësi të saj , në respekt të ligjit për mbrojtjen, konservimin, trajtimin, studimin, popullarizimin, inventarizimin dhe katalogimin informatik të objekteve të trashëgimisë kulturore , prej disa muajsh po punon për krijimin e një baze të dhënash për të gjitha shoqatat kulturore-artistike, rapsodë, interpretues e bartës të folklorit. Katalogimi i derisotëm rezulton ekzistencën në rang republike të : 80 shoqata kulturore – artistike, 75 ansamble popullore , 36 rapsodë e bartës folklori , 34 orkestrina popullore , si dhe 20 artizanë prodhues të kostumeve popullore.

Ky hartim të dhënash ka ndihmuar në përcaktimin dhe identifikimin e gjendjes së kostumeve popullore, për të cilat janë vrejtur shume deformime, degradime e abuzime si dhe amatorizën në paraqitjen e tyre në skenë. Ministria e Kulturës ka organizuar një pyetësor për të gjitha Prefekturat, Qarqet, Bashkitë dhe Qendrat Kulturore. Konstatojmë se deri tani rezulton se gjendja e kostumeve popullore, në 8 bashki është rreth 25 % shumë të dëmtuara, 40 % me mungesa, 20 % të përdorëshme në skenë dhe 15 % me deformime të shumta.

Institucionet që do të realizojnë këtë ngjarje të rëndësishme të trashëgimisë do të jenë: Drejtoria e Trashëgimisë Jomateriale dhe Rijetëzimit të Gjuhës Shqipe dhe Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, në bashkëpunim edhe me specialistët e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit.

FFK, Gjirokastër 2015 do të shërbejë për mbrojtjen, promovimin dhe popullarizimin e vlerave më të mira muzikore, koreografike, etnografike trashëguarnë shekuj; tërheqjen e brezit të ri në veprimtaritë e trashëgimisë jomateriale duke realizuar kalimin e këtyre vlerave nga brezi në brez; pasqyrimin më të gjerë të të gjitha gjinive të folklorit dhe vlerave të tij; rëndësinë që do t’i kushtohet evidentimit të krijimeve folklorike, me karakter improvizues, lodra me karakter imitativ, pantonimik e humoristik, krijimet që lidhen me festat tradicionale popullore dhe ato me karakter ritual; si dhe evidentimin e krijimeve më të lashta duke ruajtur pastërtinë burimore.

Për sa më lart, në këtë Festival do të evitohen shfaqjet që denatyrojnë folklorin, tendencat dhe elementët e tepruar spektakolarë dhe amatorizmi. Për herë të parë do të kemi një bashkëpunim me Ministrinë e Rinisë, Kulturës dhe Sportit të Kosovës në planin artistik dhe financiar.

Foto: Adnan Beci{:}