Ministry of Economy, Culture and Innovation

Poster 2014 Festivali B3F

Edicioni i katërt  i festivalit B3F (Balkan Film & Food Festival-Festivali Ballkanik I Filmit dhe Kulinarisë) do të nisë  në Pogradec nga data 1-7 shtator. Një program i pasur me filma artistikë, të shkurtër dhe dokumentarë, filma të animuar,  që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Kroacia, Turqia, Rumania, Maqedonia, Serbia dhe Greqia, si dhe filma ballkanas në bashkëprodhime nga Gjeorgjia dhe Sllovenia. Tryezës ballkanike do t’i shtohen edhe gatimet tradicionale, duke e bërë më të afërt këtë takim. Janë më shumë se 70 filma të shkurtër, filma  artistikë e dokumentarë, krijime të regjisorëve të njohur e të rinj, të cilët bëjnë bashkë një tablo të botës ballkanike, që do të takohen në  Pogradec. Një program i pasur me filma, por edhe me gatime tradicionale.

Organizatorët Eno Milkani, Gerta Qurku dhe Fatos Baxhaku besojnë se një shprehje e vjetër shqiptare që thotë – “e kam mik për kokë, kam ngrënë bukë me të” – funksionon në të gjithë Ballkanin. Ja përse një nga pikat e forta të B3F është pjesa e ushqimit. Duke qëndruar bashkë ndër tryezat e Pogradecit, duke shijuar bashkë gatimet e njëri-tjetrit, pse jo duke e hedhur edhe ndonjë kupë vere a rakie të vendit, do të bëhemi edhe më të afërt. Duke dëgjuar njëri-tjetrin do të bëhemi më të aftë të kuptojmë artin, filmin, krijimin e secilit.

Edicioni i katërt i festivalit do të ketë në gjirin e tij sivjet edhe më shumë të rinj, të cilët do kenë mundësi të punojnë përgjatë një jave nën drejtimin e ekepertëve të njohur të filmit. Ja pra ky do të jetë festivali: konkurimi i filmave nga krejt Ballkani të gjykuar nga një juri joballkanike, shijimi i Ballkanit edhe për nga kuzhina, freskia e liqenit të njohur e bashkuar me freskinë e prezencës rinore. Juria e festivalit joballkanike ka në përbërje të saj : Aleksander Manic, Petra Behlke-Campos, Eric Velthuis, Thomas Logoreci. President nderi i festivalit është kineasti Pirro Milkani.

B3F, një tryezë ballkanike që bën të mundur atë që ndodh rrallë ndodh, të takohemi me fqinjët tanë, është një shkëmbim mes gjithë pjesëmarrësve, në një oborr ballkanik .

Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Kulturës.

Pogradec, 1-7 shtator 2014{:}