Ministry of Economy, Culture and Innovation

Aktiviteti kulturor i kompanisë Bankers Petroleum Albania Ltd. i parashikuar për datën 13 korrik 2014 po zhvillohet në mbikqyrjen e plotë dhe profesionale të Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut.  Ministria e Kulturës  garanton dhe siguron se spektakli i organizuar në Parkun Arkeologjik të Apolonisë do të zhvillohet konform Kartës së Veronës “Kartës për përdorimin e vendeve antike për spektaklin”. Sipas këtij dokumenti bazë, mbi të cilin mbështetet organizimi i spektakleve në vendet antike dhe parqet arkeologjike në gjithë Evropën, konservimi i këtyre strukturave ka kuptim vetëm nëse ato vihen në dispozicion të publikut. Natyrisht me kusht që të respektohet brishtësia e monumenteve dhe parimi i reversibilitetit të strukturave ndihmëse që mund të ndërtohen provizorisht.

 

Me përgjegjësi të plotë profesionale sqarojmë se të gjitha strukturat e ngritura deri tani në territorin e parkut arkeologjik Apolonia në kuadër të eventit të “Bankers Petroleum Albania Ltd” janë me karakter reversibël dhe cka është më kryesorja, në asnjë rast të vetëm nuk përbëjnë rrezik për dëmtimin e monumenteve. Me qëllim shmangien e kontaktit fizik me monumentet, të gjitha strukturat provizore metalike (të lehta) janë të mbështetura mbi platforma druri dhe gome.

 

Gjithmonë konform Kartës së Veronës janë marrë të gjitha masat për kufizimin e numrit të personave pjesëmarrës në aktivitet, që do të jetë disafish më i ulët sesa numri i atyre që kanë hyrë në të kaluarën në territorin e Parkut Apolonia në raste eventesh masive (si 1 Maji, « Shqipëria është kulturë » në vitin 2010, etj). Po ashtu është planifikuar me imtësi përdorimi i pajimeve të përshtatshme për furnizimin me ujë, energji elektrike, përdorimi i tualeteve ekologjike etj.

 

Organizimi i këtij eventi, nën masa të rrepta monitorimi nga ana e arkeologëve, është një shembull i mirë i partneritetit publik-privat në respekt të trashëgimisë kulturore që vec të tjerash gjeneron edhe punësimin e përkohshëm të një dyzine pjesëtarësh të komunitetit lokal.

Stafi i ZAKPA Apoloni ka filluar zbatimin e planit organizativ për të mundësuar mbarëvajtjen e aktivitetit. Janë saktësuar me detaje të gjithë sektorët që do të shfrytëzohen gjatë evenimentit, rrugëkalimet, zonat ndihmëse dhe ato të shërbimeve.

Gjatë kontrollit të detajuar, ushtruar ditën e mërkurë, datë 9 korrik 2014 nga Ministria e Kulturës u ritheksua edhe njëherë zbatimi me rigorozitet i Kartës së Veronës. Si rrjedhojë u reduktuan disa struktura skelerie.

Ministria e Kulturës garanton se nuk do të ketë asnjë strukturë metalike të mbështetur në monument.

Të drejtat dhe detyrimet e palëve janë të sanksionuara mbi një kontratë ligjore të firmosur nga palët.

MK gjen rastin të bëjë me dije bashkëpunimin afatgjatë me kompaninë Bankers Petroleum, në kuadër të mbrojtjes, konservimit dhe restaurimit të siteve arkeologjike, i cili nis me këtë aktivitet.{:}