Ministry of Economy, Culture and Innovation

Më datë 25 prill 2014, ora 9:30 në ambjentet e Shkollës “Sinan Tafaj” në Tiranë, do të organizohet faza finale e Konkursit Kombëtar “Të mbrojmë Pronësinë Intelektuale, të edukojmë gjeneratën që po rritet” me shkollat e ciklit 9-vjeçar dhe ato të mesme.

Për gjatë gjithë muajit prill janë zhvilluar konkurse me shkollat pjesëmarrëse nga çdo DAR i Republikës së Shqipërisë, duke zgjedhur 2 shkolla fituese, një nga shkollat 9-vjecare dhe një nga shkollat e mesme. Ka qënë një aktivitet i ngjeshur dhe ka rezultuar të ketë patur ndikim pozitiv tek nxënësit. Ky konkurs është pritur mjaft mirë dhe nga stafet pedagogjike të shkollave duke i cilësuar njohuritë në fushën e të drejtës së autorit mjaft të rëndësishme dhe të domosdoshme për të edukuar brezin që rritet.

Janë zhvilluar konkurset respektivisht në këto DAR-e, për Qarkun Lezhë, Shkodër, Tiranë (Qytet dhe Qark), Elbasan, Berat, Kukës, Durrës, Gjirokastër dhe Korcë, Vlorë dhe Fier, duke përfshirë pjesëmarrjen e mijëra nxënësve.

Ky aktivitet vjen në kuadër të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, ditë e cila festohet në mbarë botën nga shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale çdo 26 prill.

Për sa më lart, në kuadër të kësaj dite të rëndësishme për respektimin dhe mbrojtjen e krijimitarisë së mendjes njerëzore, ZSHDA ndër të tjerash vendosi të organizojë këtë aktivitet, i cili konsistoi në një konkurs me rreth 50 pyetje  nga fusha e të drejtës së autorit dhe pronësisë intelektuale në tërësi, që do të zhvillohet në qarqet kryesore të vendit me shkollat e mesme dhe ato të ciklit 9 – vjeçar (klasat e 8-ta dhe të 9-ta) në nivel Drejtorie Arsimore Rajonale.

Aktiviteti zhvillohet nga Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, Drejtoritë Rajonale Arsimore si dhe Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”.

Edukimi dhe imformimi për gjeneratën e re që po rritet sjell uljen e nivelit të piraterisë dhe shkeljeve ne një vend të caktuar, eksperiencë kjo e provuar në shumë vende të zhvilluara.

Ndërgjegjësimi i komunitetit dhe i shoqërisë në tërësi si dhe arsimimi në këto çështje, janë ndër shtyllat kryesore të Strategjisë Kombëtare të Zbatimit të të Drejtave të PI 2010-2015.
Sa më i madh të jetë informimi i konsumatorit për rëndësinë dhe rolin e të drejtave të PI-së, aq më i ulët do të jetë niveli i piraterisë dhe shkeljeve të tjera në vend.

Gjatë ditës së konkursit do të shpërndahen cmime simbolike dhe certifkata për vendin e pare, të dytë dhe të tretë si dhe mjaft libra dhe mjete të tjera promocionale.

Shkollat pjesëmarrëse në shkallë Drejtorie Rajonale Arsimore janë pajisur me çertifikatë pjesëmarrje ashtu si dhe çdo nxënës i përfshirë në konkurs.

Ky aktivitet i rëndësishëm u bë i mundur më mbështetjen e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Abcom, Microsoft Albania, International Chamber of Commerce ( ICC) –Albania, Univers Promotion etj.{:}