Ministry of Economy, Culture and Innovation

Në kuadër të kalendarit të përbashkët Shqipëri-Kosovë, më 25 prill-2 maj 2014, nis në Prishtinë festivali ndërkombëtar i filmit, PriFest 2014. Priten të prezantohen rreth 60 filma, që do të ndahen në 7 programe të ndryshme, me pjesëmarrjen e Ministres së Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro dhe Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Memli Krasniqi.

Programi Garues Evropian do të sjellë 10 filma nga Britania e Madhe, Gjermania, Austria, Rusia, Izraeli, Ukraina, Lituania, Letonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Italia. Programi Garues i Filmave të Ballkanit, i emëruar si Kinemaja e Mjaltës dhe Gjakut, do të sjellë filma nga Maqedonia, Turqia, Sllovenia, Kroacia, Greqia, Bosnja, Serbia dhe Rumania. Programi konkurrues i metrazhit të mesëm, program i veçantë për rajon, do të prezantojë produksione nga Shqipëria, Polonia, Gjermania, Franca, Sllovakia, Kosova, etj. përderisa filmat dokumentarë vijnë nga Irani, Gjermania, SHBA-të, Britania e Madhe, etj.

Në këtë vit forumi do të ketë një temë interesante  “Selling Balkan stories to the West”, me diskutime në panelin e quajtur West, me producentë të njohur nga Franca, Holanda, Gjermania, etj. dhe panelin East ku do të diskutojnë drejtorët e Qendrave Kinematografike dhe producentët nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova.

Në forumin – Best Pitch Contest, ku do të garojnë projektet filmike për të fituar këtë çmim si prezantimi më i mirë i projektit. Në këtë garë merr pjesë edhe projekti nga Shqipëria “Burri i shtëpisë” i Andamion Murataj.

Në këtë festival Shqipëria do të prezantohet nga:

– Ekipi i producentëve mysafirë në forum që do të vijnë me përkrahje të QKK

– Filmi i metrazhit të mesëm “Më në fund në shtëpi” – Kreshnik Saraçi – Premierë ndërkombëtare

– Filmi i metrazhit të gjatë “Ada” – Spartak Pecani – Premierë Ndërkombëtare

– Filmi dokumentar – “Dokumentari i fshehur” nga Fabian Kati – Premierë Ndërkombëtare{:}