Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=8573]

Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, zj Mirela Kumbaro Furxhi, mori pjesë dje, më 22 Nëntor 2013, në festimet e 105-vjetorit të Kongresit të Manastirit. E cilësuar si vizita e parë  në Manastir, e para e këtij lloji,  znj. Kumbaro pati takime të rëndësishme me zëvendëskryeministrin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, z. Musa Xhaferri  dhe homologen e saj, Elizabeta Kançeska – Mileska.

 

Takimet u zhvilluan në Shtëpinë e Alfabetit Shqip,  nga ky z. Xhaferi u shpreh se “është kënaqësi dhe rast i veçantë që takohemi në Muzeun e Alfabetit me ministren e Kulturës së Shqipërisë dhe i dëshiroj mirëseardhjen. Kishim një bisedë shumë miqësore, biseduam për Festën dhe për rëndësinë kombëtare që ka kjo ditë në unifikimin e Alfabetit Shqip. Vumë theksin tek të gjitha mundësitë që ka krijuar kjo ditë si një nga ngjarjet më të rëndësishme historike të popullit shqiptar, që i paraprin shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912 dhe i bashkon shqiptarët në Alfabetin e tyre që besoj se për të gjithë ne është i shenjtë”.

 

Ministrja Kumbaro Furxhi deklaroi përpara gazetarëve se:

“Është padyshim një kënaqësi për mua që vizitën e parë në Maqedoni e bëj pikërisht në Manastir dhe në një ditë të veçantë si 22 nëntori, ku sot kemi 105-vjetorin e Kongresit të Alfabetit që është zemra e asaj çfarë bashkon gjithë shqiptarët. Është thelbi i identitetit tonë, gjuha shqipe, e cila ka ekzistuar para se të ekzistonte vetë Shqipëria”
Në takim u diskutua për hartimin e marrëveshjes në fushën e kulturës mes Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe asaj të Kulturës së Republikës së Maqedonisë, e cilësuar nga të dyja palët “e rëndësishme dhe e vonuar”. Përsa i restaurimit , konservimit dhe mirëmbajtjes së Shtëpisë së Alfabetit  Shqip  u diskutua  për “krijimin e një ekipi të përbashkët për të krijuar një skuadër ekspertësh, të cilët të vlerësojnë gjendjen aktuale  që të mund të ndërtojmë projekte të përbashkëta ruajtjeje, konservimi dhe restaurimi”.

 

Znj. Ministrja Kumbaro Furxhi dhe homologia e saj znj. Elisabeta Kançevska Milevska ,  patën një takim dy palësh,  ku u diskutua për për një bashkëpunim konkret dhe disaplanësh në fushën e kuturës  dhe artit,  e parë kjo edhe në aspektin e vendeve që aspirojnë hyrjen në BE.

Takimi në Shtëpinë e Alfabetit Shqip “Është  ditë e veçantë, shtëpi e veçantë dhe mesazh shumë i mirë për kulturën tonë të përbashkët”-u shpreh  znj. Kumbaro Furxhi.

Nga ana e saj znj. Kançevska Milevska u shpreh se : “Qeveria jonë shpreh kujdes dhe vullnetin e mirë për bashkësitë etnike, duke zhvilluar nisma të ndryshme kulturore. Institucioni në të cilin ndodhemi është shpallur institucion kombëtar, po ashtu edhe data 22 Nëntor është festë kombëtare në Maqedoni. Kemi investuar në projekte kulturore teatrore si teatri shqiptar i Shkupit, i cili shumë shpejt do të ketë një infrastrukturë të re si në teknologji , ashtu edhe në salla. Po ashtu projekte kanë nisur edhe në teatrin e Tetovës  dhe bibliotekën e qytetit. Një kujdes i veçantë është treguar edhe në trashëgiminë kulturore duke mirëmbajtur dhe restauruar xhami dhe objekte të tjera të rëndësishme  për historinë dhe kulturën e bashkësisë shqiptare, duke e parë si një dimension multikulturor të shoqërisë”.

 

Ministrja Kumbaro u shpreh se “Nismat e deritanishme mes dy vendeve tona kanë qenë individuale dhe  mes artistësh. Ka ardhur moment që të institucionalizojmë marrëveshjen tonë dy-palëshe në fushën e kulturës, ekipi im është duke punuar që ajo të marrë formën e plotë juridike. Ministria e Kulturës është duke drejtuar me një filozofi të re, pasi qeveria dhe kryeministri i vendit  i jep rëndësi kulturës dhe  beson fort  në rëndësinë e saj jo vetëm  për imazhin  e vendit, por edhe si element i edukimit të brezave përmes saj”.

 

Në takim u ra dakord për përfundimin sa më të shpejtë të marrëveshjes kulturore, protokolli i së cilës është gati, mbetet institucionalizimi i marrëveshjes. Gjithashtu u ra dakord për një takim institucional mes drejtuesve të artit dhe kulturës së dy vendeve për të lehtësuar projektet e përbashkëta që do të  realizohen në të ardhmen. Dy zonjat Ministre të dy vendeve u shprehën të gatshme të marrin rolin e koordinatorit në hartimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta.

 

Pas takimeve dhe vizitës  në muzeun e Alfabetit Shqip , zonja Kumbaro ka marrë pjesë në akademinë solemne që u organizua në Manastir me rastin e shënimit të 105-vjetorit të alfabetit të gjuhës shqipe.{:}