Ministry of Economy, Culture and Innovation

Mirëmbrëma të gjithëve,

Për mua sot është kënaqësi ta përshëndes këtë event nën përgjegjësinë e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Më lejoni të theksoj faktin se jam shumë i lumtur që jam mes jush, sepse ky është një nga ekosistemet më të rëndësishme që na dikton koha dhe mua ma dikton detyra e ministrit.

Albanian ICT Awards është një ngjarje e bukur që ndodh në Shqipëri për të 12-tin vit radhazi dhe qyteti i Tiranës pret ajkën e teknologjisë dhe inovacionit nga të gjitha trevat shqiptare. Pra, është jo vetëm një ngjarje për teknologjinë dhe inovacionin, por është një moment krenarie për kombin shqiptar, i cili bashkohet në kryeqendrën e Shqiptarëve, Tiranë.

Në një komunitet të tillë, mes elitës së teknologjisë dhe inovacionit, nuk gëzojmë thjeshtë pjesëmarrjen, por me krenari jemi një zë i fortë, ku gjenialiteti, kreativiteti teknologjik, inovacioni në brezat e rinj të vajzave e djemve shqiptarë është tashmë një fushë e prekshme, e kërkuar, dhe pa më të voglin dyshim me kapacitete që mund të konkurrojnë lehtësisht kudo.

Sot, Shqipëria ka nevojë më shumë së kurrë për idetë dhe kritikat e secilit prej jush, për ta bërë Shqipërinë kampione të Ballkanit dhe më gjerë në teknologji dhe inovacion. Dhe jam i bindur që kemi të gjitha kapacitetet për të qenë të tillë! Fakti që sot jemi mbledhur të gjithë bashkë, do të thotë se nuk ka asgjë që mund të na ndajë në rrugën drejt realizimit të ëndrrave të mëdha që e bëjnë Shqipërinë më të mirë, klimën e biznesit më të lirë dhe sigurisht, jetën e shqiptarëve më të lehtë!

Me eksperiencën e një fitoreje në ICT Awards disa vite më parë me institucionin që drejtoja, ku integrimi i teknologjisë dhe informacionit në një ent publik si DPSHTRR, arriti t’i atribuonte këtij enti çmimin “Shërbimi Publik më i mirë i vitit”, duke ditur mirë se çfarë sfidash dhe përgjegjësish mbart me vete ky çmim, pres me padurim të shoh dhe dëgjoj ide të reja inovative prej jush, për t’u njohur me idetë fituese që shpallen në 6 Maj në të gjitha kategoritë, me një vëmendje të shtuar në fushat që përfshijnë inovacionin, startupet dhe sigurinë kibernetike dhe të jem një pikë e fortë mbështetjeje dhe nxitjeje për çdo kënd që kërkon të eksperimentojë, ndajë ide dhe projekte me ne. Faleminderit.