Ministry of Economy, Culture and Innovation

Të nderuar kolegë dhe bashkëqytetarë,

Ndërsa nisim sezonin turistik të verës, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të përkushtohet plotësisht ndaj menaxhimit të vizitueshmërisë në sitet e trashëgimisë kulturore. Thesaret kulturore të kombit tonë nuk janë thjesht artefakte të së shkuarës; ato janë testamente të gjalla të identitetit, krijimtarisë dhe qëndrueshmërisë sonë.

Bazuar në trendin aktual të rritjes së vizitorëve nga janari deri në mars 2024, 28 institucionet tona të trashëgimisë kulturore pritet të vizitohen gjatë këtij viti nga afërsisht nga 1,700,000 vizitorë vendas dhe të huaj, një rritje e ndjeshme prej 64% vizitorë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Këto statistika e shifra premtuese pasqyrojnë interesin dhe vlerësimin në rritje për trashëgiminë tonë kulturore si nga vizitorët vendas ashtu edhe nga turistët ndërkombëtarë.

Ndaj Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, së bashku me Institucionet dhe Qendrat e Trashëgimisë Kulturore ka hartuar një plan masash për të garantuar mbarëvajtjen e këtij sezoni turistik veror duke u fokusuar te:

Ruajtja dhe mirëmbajtja: Prioriteti ynë i parë është ruajtja dhe mirëmbajtja e këtyre thesareve të paçmueshme. Ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të siguruar që çdo strukturë, objekt dhe peizazh i trashëgimisë të marrë kujdesin dhe vëmendjen që meriton nëpërmjet inspektimeve rigoroze, projekteve të ruajtjes dhe masave të mbrojtjes së mjedisit, vendosjes së sinjalistikës orientuese, si dhe duke bashkëpunuar me autoritetet lokale.

Përmirësimi i përvojës së vizitorëve: Ne jemi të përkushtuar të përmirësojmë përvojën e vizitorëve në sitet e trashëgimisë kulturore si një eksperiencë gjithëpërfshirëse, pavarësisht grupmoshës. Organizimi i aktiviteteve të ndryshme kulturore në site, do të ofrojë mundësi të tjera ndërveprimi me trashëgiminë kulturore, ku tradita do të përqafojë modernen. Turet e organizuara nga udhërrëfyes të certifikuar do të ofrojnë njohuri më të thella mbi rëndësinë historike dhe nuancat kulturore të çdo siti.

Promovimi dhe shtrirja: Sitet tona të trashëgimisë kulturore meritojnë të promovohen dhe të ndahen me publikun. Nëpërmjet fushatave të marketingut, bashkëpunimeve strategjike, ngjarjeve kulturore dhe programeve edukative, ne do të promovojmë turizmin e trashëgimisë dhe do të shfaqim gjallërinë e trashëgimisë sonë kulturore në një audiencë ndërkombëtare.

Praktikat e turizmit të qëndrueshëm: Ndërsa inkurajojmë turizmin kulturor, ne njohim gjithashtu rëndësinë e praktikave të qëndrueshme. Strategjitë e menaxhimit të vizitorëve, mbrojtja e mjedisit, ndërgjegjësimi i vizitorëve për ruajtjen e sitit dhe përfshirja e komunitetit do të sigurojnë që sitet tona të trashëgimisë kulturore të mbeten të pacenuara dhe të aksesueshme për brezat që do të vijnë.

Monitorimi dhe reagimet: Monitorimi i vazhdueshëm dhe mekanizmat e reagimit do të vendosen për të vlerësuar efektivitetin e planit tonë të veprimit. Anketat e vizitorëve, analiza e të dhënave dhe konsultimet me palët e interesuara do të udhëheqin përpjekjet tona, duke siguruar që ne të mbetemi të përgjegjshëm ndaj nevojave dhe pritshmërive të vizitorëve dhe komuniteteve edhe për sezonet e ardhshme.

Ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore nuk është vetëm një detyrë; është një përgjegjësi e përbashkët dhe një burim krenarie kombëtare. Së bashku, si institucione por qoftë dhe si vizitorë të përgjegjshëm, kontributi i gjithësecilit prej nesh ka shumë rëndësi në mbrojtjen e trashëgimisë sonë.

Mirëpresim krahëhapur turistët këtë sezon, për të zbuluar e njohur krahas peizazheve mahnitëse e njerëzve të mrekullueshëm, traditat dhe thesaret kulturore të Shqipërisë.

Faleminderit!