Ministry of Economy, Culture and Innovation
Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO, mbledhur në Sesionin e 46-të të tij në New Delhi, Indi, miratoi dy vendimet që kishte në rendin e ditës për qendrat e Trashëgimisë Botërore shqiptare të Butrintit dhe Berat-Gjirokastrës. Projektvendimi për Rajonin e Liqenit të Ohrit, pavarësisht se u shpall para pak ditësh nga Qendra e Trashëgimisë Botërore, është planifikuar për tu diskutuar në sesionin e vitit të ardhshëm.
MEKI, si përfaqësuese e shtetit tonë palë, mbështeti pa asnjë rezevë projektvendimet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore dhe Komiteti i TB sapo zyrtarizoi një qendrim, unanim, që ne e konsiderojmë si shumë objektiv, tërësisht korrekt dhe jashtëzakonisht profesional. Ndihemi veçanërisht të kënaqur si për vlerësimet direkte që kemi marrë në takimet me përfaqësuesit e lartë të Qendrës së TB, ashtu edhe nga ato të shprehura në vendime e sotme. Fakti që në 90% të pikave përmbajtësore të vendimit për Butrintin mirëpriten dhe mbështeten veprimet e shtetit palë është shumë inkurajuese. Edhe pika e vetme në të cilën shprehet keqardhje për vonesën e sqarimit të kufijve të pasurisë botërore, reflekton situatën e kohës kur është përgatitur projektvendimi. Ndërkohë MEKI ka dërguar në Paris paketën e parë të hartave dhe ka marrë komentet paraprake nga Qendra e TB. Grupi teknik i punës po e ndjek me ritëm të lartë këtë detyrë që do ta plotësojmë sipas një kalendari të dakordësuar me UNESCO.
Vendimet konfirmojnë edhe atë për të cilën jemi tërësisht të përgatitur: kemi përpara shumë punë dhe shumë sfida të reja. Zhvillimet e vrullshme ekonomike dhe shoqërore të vendit, veçanërisht ato të lidhura me turizmin kulturor janë komplekse dhe nuk tolerojnë asnjë shpërqendrim të vëmendjes, energjive dhe profesionalizmit, jo vetëm të MEKI-t, por edhe të institucioneve të tjera publike, pushtetit vendor, studiuesve dhe gjithë partnerëve të trashëgimisë kulturore materiale e jomateriale. Vendimet e sotme janë edhe një inkurajim e falenderim për të gjithë ata!