Ministry of Economy, Culture and Innovation
Nis bashkëpunimi mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe United Nations Association Albania për studimin, përmirësimin dhe hartimin e politikave dhe mekanizmave mbështetës financues në fushën e artit dhe kulturës!
Ky bashkëpunim nisi menjëherë pas prezantimit të rezultateve të studimit të realizuar nga UNAA dhe mbështetur nga ArtNexus “Mbi Mekanizmat e Mbështetjes dhe Burimet Financiare për Artet Pamore në Shqipëri” ku u trajtuan problematikat dhe sfidat me të cilat ndeshen artistët pamor në vendin tonë dhe ku u ngrit nevoja e një dialogu të vazhdueshëm mes institucioneve publike dhe komunitetit artistik në Shqipëri.
Përmes kësaj marrëveshje synohet të përmirësohen skemat e shpërndarjes së mbështetjes financiare jo vetëm në fushën e arteve pamore, por edhe më gjerë si: artet skenike, festivalet, artizanati, trashëgimia kulturore, etj.
Me anë të kësaj nisme, fokus të veçantë do të ketë mbështetja e artistëve të rinj shqiptarë, pasurimi i kalendarit kulturor në të gjithë vendin, mbështetja e krijimtarisë, zhvillimi i rezidencave artistike, përfaqësimi kombëtar dhe diplomacia kulturore, mobiliteti artistik, mbështetja e organizatave kulturore e shumë programe të reja për të nxitur e mbështetur skenën e pavarur.
Pjesë e punës janë edhe takimet dhe konsultimet publike me grupet e interesit nga fusha e artit dhe kulturës shqiptare dhe institucionet e tjera.
Ndaj në vjeshtën e këtij viti, MEKI do të organizojë një sërë takimesh dhe konsultash të titulluara “Zërat e Kulturës: Artistët flasin, institucionet dëgjojnë”, detajet e të cilave do të njoftohen në vijim në faqet zyrtare të MEKI-t.