Ministry of Economy, Culture and Innovation

Të nderuar të ftuar, artistë dhe miq artdashës,

Në janar të këtij viti, patëm kënaqësinë të prezantojmë transformimin e “Vilës 31”, dikur rezidenca e një prej simboleve më të errëta të izolimit në historinë tonë, sot e zbuluar për publikun dhe e hapur për artistët, shembull i përkushtimit tonë për të promovuar artin dhe kulturën si motorë të zhvillimit ekonomik, forcimit të identitetit dhe rritjes së ndikimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare kulturore.

I uroj mirëseardhjen Z. Hadad, Ministri francez i deleguar për Europën, Z. Zhyse, President i Fondacionit Art Explora dhe gjithë delegacionit francez që viziton Shqipërinë.

ArtExplora nga vetë emri, qëllimi, ngjall eksplorimin krijues dhe ndërveprues mes vendeve dhe komuniteteve duke rrëzuar hierarkitë, ashtu siç punët e artistëve që do t’i përjetojmë sot, fryt i misionit të Vilës 31 ku sot bashkëjetojnë shpirtra të lirë nga e gjithë bota, brenda mureve ku dikur ekzistonte vetëm 1 fantazi – ajo e antilirisë!

Ky projekt sjell bashkëjetesën e kujtesës historike me krijimtarinë e gjallë të së tashmes. Përmes artit dhe reflektimit, ky vend jo vetëm që ruan historinë, por e ri-imagjinon dhe përshtat atë në funksion të ndërgjegjes, përfshirjes dhe emancipimit shoqëror.

Një vëmendje shumë të rëndësishme merr promovimi i artistëve të rinj vendas, duke i mbështetur në rrugëtimin e tyre krijues dhe duke i krijuar hapësira ku ata mund të shprehin veten dhe të ekspozojnë veprat e tyre.

Këtë vit, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka mbështetur përmes Programit Kombëtar të Granteve për Kulturën dhe Krijimtarinë, dhjetëra artistë e aktivitete që do të zhvillohen te Vila Art Residence, edhe më gjerë.

Festivali që çelim sot këtu dhe nesër në Durrës, është një ndër ngjarjet më domethënëse demokratike, edukative dhe frymëzuese për Shqipërinë europiane, për publikun vendas dhe ndërkombëtar.

Qeveria Shqiptare e ka bërë kryefjalë mbështetjen dhe bashkëpunimin me skenën artistike, me politika kulturore dhe me investimin, besimin e shtetit tek shprehia krijuese bashkëkohore!

Besojmë fort se kultura është jo vetëm mjet i kujtesës, por edhe themel për të ndërtuar një të ardhme më të hapur, më të lirë dhe më gjithëpërfshirëse.

Krijimi i një skene kulturore vibrante, dinamike, provokuese është kryefjala e ditëve që po jetojmë dhe atyre që do vijnë.

Kjo lëvizje dhe frymë vjen përmes lidhjes së ndërtesave të trashëgimisë kulturore, programeve artistike por po ashtu dhe me inagurimin e hapësirave të reja të cilat i vihen në funksion skenës së pavarur.

Nuk ka asgjë më efektive sesa kur një shoqëri vetëreflekton, vetëkorrigjohet, hapet ndaj një katarsisi konstant kulturor e artistik, liron vetveten nga klaustrofobia lokaliste dhe emancipohet përmes artit!