Ministry of Economy, Culture and Innovation

Tiranë, Albanian Shoes Corporation përfaqëson një histori të qëndrueshme suksesi në sektorin e përpunimit të këpucëve të lëkurës, që prej themelimit të saj në vitin 2013. Kjo kompani është kthyer në një model frymëzues të sipërmarrjes shqiptare, duke ndërthurur mjeshtërinë tradicionale me teknologjinë moderne dhe duke ndërtuar një profil konkurrues jo vetëm në tregun vendas, por edhe në atë ndërkombëtar.

Gjatë një vizite të zhvilluar pranë kompanisë, u realizua një dialog i hapur dhe i frytshëm me drejtuesit e biznesit dhe kolektivat punonjëse. Diskutimet u përqendruan në politikat dhe reformat e nevojshme për të mbështetur më tej zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit prodhues, fuqizimin e marrëdhënies punëdhënës-punëmarrës dhe avancimin e të drejtave të çdo grupi interesi. U theksua gjithashtu rëndësia e inovacionit, digjitalizimit dhe përmirësimit të kushteve të punës, si elementë kyç për të përballuar sfidat e tregut dhe për të rritur mirëqenien sociale.

Një nga aspektet më të spikatura të kësaj kompanie është profili i saj social. Me mbi 90% të stafit të përbërë nga gra, kryesisht nga zonat rurale përreth Tiranës, Albanian Shoes Corporation është një shembull i fuqizimit real ekonomik të grave. Ajo u ofron atyre jo vetëm punësim të qëndrueshëm dhe paga dinjitoze, por edhe mundësi për zhvillim profesional, përfshirje aktive në jetën sociale dhe ndihmesë në ruajtjen e balancës mes punës dhe jetës familjare.

Ky model suksesi tregon se ndërmarrjet shqiptare mund të jenë jo vetëm motorë të rritjes ekonomike, por edhe promotorë të barazisë gjinore dhe të zhvillimit gjithëpërfshirës. Albanian Shoes Corporation mbetet një partner i rëndësishëm në rrugën drejt një ekonomie më të drejtë, më humane dhe më të qëndrueshme për të gjithë.

Foto Album