Ministry of Economy, Culture and Innovation

Zv.Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, ishte i pranishëm në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, ku u prezantua projektligji për ndryshimin e ligjit “Për investimet e huaja”, një nismë parlamentare që synon përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Ky projektligj synon të krijojë bazën ligjore për procedura të qarta të vlerësimit dhe kontrollit të investimeve të huaja direkte në sektorët strategjikë të vendit, në përputhje me Rregulloren (BE) 2019/452.

Deri më sot, mungesa e një procedure të standardizuar është vlerësuar si një boshllëk nga partnerët tanë strategjikë, përfshirë Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Krijimi i një mekanizmi të tillë konsiderohet thelbësor për rritjen e transparencës, sigurisë ekonomike dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Ky hap përfaqëson një tjetër gur themeli në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian, duke adresuar një nga kërkesat kyçe për mbylljen e Kapitullit 30 në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE.