Ministry of Economy, Culture and Innovation

Ministria e Kulturës  harton   katalogun “ Albanian Books”  duke shpresuar që të pasohet nga katalogët e përvitshëm që do të përmbajnë titujt më të mirë të vitit të sugjeruar për përkthimin dhe botimin jashtë vendit.

Në hartimin e këtij katalogu prej 32 autorësh të përgatitur nga Drejtoria e Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit, janë mbajtur parasysh disa kritere: së pari, janë përzgjedhur autorë me krijimtari të pasur pas viteve nëntëdhjetë, vepra e të cilëve është vlerësuar nga kritika, është nderuar me çmime apo është ndjekur nga lexuesi vendas, si Luljeta Lleshanaku, Arian Leka, Agron Tufa, Ardian Kyçyku, Ridvan Dibra, Arben Dedja, etj. Po kështu janë përzgjedhur edhe autorë të afirmuar që para viteve nëntëdhjetë, të cilët janë ende aktivë në fushën e letrave, si: Zija Çela, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj etj.

 

Në serinë e këtyre autorëve prodhimtarë e të vlerësuar në këto njëzet e pesë vjet mungojnë disa nga emrat më të njohur të letrave shqipe si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Xhevair Spahiu, Moikom Zeqo, Ben Blushi e të tjerë, përfshirja e të cilëve nuk u gjykua e domosdoshme, duke qenë se autorëve të mësipërm u është dhënë tashmë mundësia të përkthehen dhe të botohen në shumë gjuhë.

 

Në marrëdhënie të ngushtë e karakterizuese me Historinë e popullit të vet, Letërsia shqiptare përjetoi një transformim cilësor me ndryshimet politike që përfshinë Europën Lindore e diktatoriale mbas vitit 1990. Konsakrimi i lirisë së mendimit dhe të fjalës gjatë viteve ’90 i dhanë Letërsisë  shqiptare energjinë dhe lirinë e shumëkërkuar artistike e estetike për t’u modernizuar dhe për të ecur drejt sfidave bashkëkohore të artit botëror. Pikërisht, duke përjetuar këtë sfidë, letërsia shqiptare, teksa braktiste pa dhimbje  rregullave kanonike të së ashtuquajturës metodë krijuese të realizmit-socialist, nisi rrugëtimin e saj të ri fillimisht mes  eksperimenteve dhe një kaosi imitimi rrymash e drejtimesh, të cilat sot i lexojmë edhe si një dëshmi e përjetimit të kërkimit në art. Për pasojë, u desh një dekadë për kristalizimin e emrave të rinj në letërsinë shqiptare dhe si dhe të rikonfirmimit të shkrimtarëve të mëparshëm që arritën të gjejnë veten edhe në kushtet e lirisë së krijimit.

Ka pasur disa përpjekje për antologji të letërsisë shqiptare të pas viteve nëntëdhjetë, por asnjëherë një katalog të plotë në gjuhën angleze të kësaj letërsie që të shërbëje për më tepër si një udhërrëfyes apo pashaportë veprash e autorësh me qëllimin për t’u lehtësuar punën shtëpivë botuese të huaja të interesuara në botimin e veprave nga letërsia shqiptare. Në mungesë të agjencive letrare që mbulojnë këtë veprimtari, Ministria e Kulturës vendosi të hartojë këtë katalog (me të njëjtin titull me faqen e re të internetit kushtuar letërsisë shqipe “Albanian Books”),  duke shpresuar që të pasohet nga katalogët e përvitshëm që do të përmbajnë titujt më të mirë të vitit të sugjeruar për përkthimin dhe botimin jashtë vendit.

Vështirësia për përkthimin në kohë të materialeve letrare ka lënë jashtë katalogut dhe shumë shkrimtarë të tjerë të denjë për t’u përfshirë, si Rudolf Marku, Rudolf Marku apo Lindita Arapi, informacioni mbi të cilët do të vijojë në botimet e ardhshme kataloguese.

Seria e veprave të paraqitura në këtë katalog dëshmon për një letërsi shqiptare të begatë dhe për autorë të konsoliduar në krijimtarinë e tyre.{:}