Ministry of Economy, Culture and Innovation

Nuk arrij të konceptoj asgjë që përjashton ndjenjën e misterit, nuk e konsideroj kurrë të natyrshme natyrën. Për mua personazhet, objektet apo peizazhet janë gjithmonë të panatyrshme, që do të thotë, të fshehta”- shprehet Pierpaolo Pasolini.

“ART HOUSE”, një shtëpi e re arti që hapet në Shkodër, nis me ekspozitën “Memorandum” me punime të artistëve, Giovanni De Lazzari, Willie Doherty dhe Pierpaolo Campanini. Nisma e artistit të njohur Adrian Paci, i cili kthen shtëpinë e tij të fëmijërisë në një lloj qendre arti, ka zgjedhur tre artistë të huaj.

Eventi i parë titullohet “Memorandum” dhe prezanton veprat e tre artistëve që përdorin mjete shprehëse të ndryshme: Doherty përdor video-instalacionin, Campanini pikturën dhe fotogravurën, De Lazzari, vizatimin.

Të tre artistët kanë të përbashkët studimin e vëmendshëm dhe të ndjeshëm të realitetit në zbulimin e “të përditshmes” dhe “të natyrshmes”, në kërkim të zonave sekrete, hapësirave ambivalente dhe kujtimeve të fshehura.

 

Në qasjen e secilit nuk vërehen gjurmë mistifikuese, por gjithçka përshkohet nga një perde e hollë misteri, i cili disa herë paraqitet në formën e ndërtimeve komplekse e herë të tjera zhvillohet në hapësira familjare, por gjithsesi të ngarkuara me të panatyrshmen.

Duke parë punimet e tyre, duket sikur natyra është përshkuar nga një histori, e cila ka lënë gjurmët e saj. Nganjëherë këto gjurmë shfaqen si plagë e herë të tjera si ndërtime imagjinare.

Ne nuk asistojmë në momentet e këtij përshkrimi, por një çast më vonë, kur çdo gjë paraqitet e heshtur dhe e mbushur me kujtesë. Është pikërisht shikimi i vëmendshëm i artistëve, i cili bëhet dëshmitar i këtyre proceseve e në të njëjtën kohë vepron në mënyrë aktive mbi to. Shikimi nuk është i pafajshëm. Ai penetron në mënyrë aktive, por pikërisht falë tij, ne bëhemi pjesëtarë të bukurive të fshehura, që na ofrohen përmes gjuhës artistike.

 

Willie Doherty është një ndër artistët më të njohur të artit bashkëkohor në Britaninë e Madhe. Punimet e tij janë paraqitur në ekspozita vetjake dhe kolektive. Është një ndër nominimet për “Turner Prize” në 1994-ën dhe pjesëmarrës në “DOKUMENTA 13″ në 2012-ën. Artisti ka përfaqësuar Britaninë e Madhe në Bienalen e San Paolos dhe Irlandën në Bienalen e Venecias në 1993.

Piepaolo Campanini punon kryesisht me pikturën. Veprat e tij janë paraqitur në ekspozita vetjake dhe kolektive në Itali e vende të tjera. Ka organizuar disa ekspozita personale në galerinë “Kaufmann Repetto”, Salon 94 në New York, Corvi-Mora në Londër, Blum and Po në Los Angeles, Françeska Kaufmann në Milano etj. Ndër ekspozitat kolektive, këtu mund të përmendim “La Figurazione Inevitabile” në “Centro per Arte Contemporanea”, Luigi Peçi-Prato, “Visioni per un Inventario” Fondazione Bevilacqua La Masa Venezia, “Italics, Italian art between tradition and revolution 1968-2008″, Museum of Contemporary Art Chigago e të tjera. Giovanni de Lazzari punon me vizatime, pikturë dhe skulpturë. Ka ekspozuar në galerinë “Laveronica” në Modika-Siçili, “Spazio Zero” në Bergamo dhe galeria “Nova Gorica”. Ndër ekspozitat kolektive përmendim “Sosia”, Museo d’Arte Moderno e Contemporaneo-Trento, Premio Cairo-Milano, “Ogni Cosa a Suo Tempo” – Palazzo della Misericordia Bergamo, “Carpe Diem” – Lisbonë.

Ekspozita, që shënon edhe përurimin e “ART HOUSE”, është një projekt i Adrian dhe Melisa Pacit, të cilët dëshirojnë të sjellin në qytetin e tyre të lindjes kontributin e personaliteteve artistike ndërkombëtare të afirmuara në fushën e artit bashkëkohor.

Të nesërmen e hapjes së ekspozitës do të organizohet një takim publik me të tre artistët.

 

Pjesë e aktivitetit të ART HOUSE  do të jenë  takime, studio visit nga kuratorë, kritikë arti e galeristë sipas datave në vijim:

 

19 shtator : Takim me Angela Vetttese, kuratore, kritike dhe historiane arti

 

20 tetor: Takim me Corrado Gugliotta, galerist në  “Laveronica Arte Contemporanea”.

 

22 nëntor: Takim me Marta Gili, drejtoreshë e Muzeut  “Jeu de Paume”, Paris.

 

Aktivitet e ART HOUSE mbështeten nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Instituti Italian i Kulturës Tiranë.

Informacione 

Data e përurimit: e diel 13 shtator 2015 ora 18:00

Takim publik me artistët : e hënë 14 shtator ora 11:30

Adresa : ART HOUSE, Rr. At Shtjefën Gjeçovi 15,  Shkodër

Orari i hapjes :  E martë- E shtunë  11:00- 13:00 dhe   17:00-19:00{:}