Ministry of Economy, Culture and Innovation

Yllka Gjollesha është artistja fituese e Rezidencës Artistike në Salsburg – Austri, në kuadër të programit “Artist in  Residence”, i cili bazohet në “Protokollin e Bashkëpunimit” të nënshkruar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe Landi i Salsburgut i Republikës Federale të Austrisë.
Programi “Artist in Rezidence”, organizuar dhe financuar nga Ministria e Kulturës  realizohet me qëllim krijimin e hapësirave bashkëvepruese për artistët e rinj, në fushën e arteve pamore, si dhe shkëmbimin e eksperiencave të suksesshme mes vendeve respektive.
Artisti i përzgjedhur do të marrë pjesë në programin “Artist in Rezidence” në Landin e Salsburgut, për një periudhë kohore nga 1 deri në 2 muaj, përgjatë vitit kalendarik 2015. Rezidenca do të fillojë më date 1 Maj 2015. Ministria e Kulturës merr  përsipër mbulimin e kostove të qëndrimit të artistit shqiptar në Salsburg si dhe shpenzimet e udhëtimit. Gjatë kohës së rezidencës, artisti do të qëndrojë në të ashtuquajturën “Banesa e Artisteve në Salzburg” dhe do të ketë mundësi të hapë ekspozitë në fund të rezidencës dhe vendosjen e kontakteve profesionale.
Fituesi për këtë rezidencë u zgjodh nga një Konkurs Kombëtar  i organizuar nga  Galeria Kombëtare e Arteve i shpallur online më datë 30.01.2015 nga GKA dhe MK. Në konkurs morën pjesë 6 aplikantë.

Juria e përbërë nga Z. Artan Shabani – kryetar, Znj. Suzana Varvarica Kuka, dhe Z. Ylli Drishti –  anëtarë, shpallën fituese të kësaj rezidence artistike, artisten Yllka Gjollesha me motivacionin:
Yllka Gjollesha zgjidhet të marë pjesë në rezidencën artistike në Austri, në kuadër të programit “Artist in  Residence”, pasi u përzgjodh si një nga artistët e cila në mjedisin e artit shqiptar është shumë aktive. Ajo ka marë pjesë nga viti 2004,  në ekspozitat më të rëndësishme të hapura në GKA Tiranë, në Galerinë Zeta dhe në Galerinë FAB. Gjithashtu ajo ka ekspozuar në aktivitete të rëndësishme të artistëve të rinj në New York, “Young Albanian Filmmakers Festival”, në Rimini, “Albania – A New Visual (E) vocation” dhe Bari “Post Young Albanian Artist”, Pino Pascali Museum. Vepra e saj është emocionale dhe poetike, është një instrument që i bën njerëzit të shkojnë me imagjinatë në të shkuarën dhe në të njëjtën kohë të shohin të ardhmen përmes ëndrrave të tyre. Në këtë konkurs Gjollesha u prezantua me disa nga veprat më të fundit të saj të cilat janë fotografi dhe video-instalim.{:}