Ministry of Economy, Culture and Innovation

Galeria Kombëtare e Arteve hapi ekspozitën vetjake të artistit Artur Gorishti. Ekspozita e cila vjen në Natën e Bardhë, kuruar nga Ylli Drishti  prezanton rreth 70 vepra të përzgjedhura nga 900 punime të artistit të krijuara  në një periudhë 25 vjeçare. Pikturat e grafikat,  janë peizazhe, portrete, brendi, kompozime e miks media.

I njohur përgjithësisht si aktor filmi, Artur Gorishti ka guxuar edhe me parë t’i flasë publikut përmes ekspozitave, kryesisht fotografike, por këtë herë ai vjen në Galerinë Kombëtare të Arteve me një pasion jo aq të shfaqur, siç është piktura.

Krijimet e Gorishtit, janë brendia individuale e tij, e cila shpaloset si fletë libri, si një fjali, apo fjalë  e shkruar nga një dorë që vërshon krejtësisht e lirë. Duket sikur pa qënë e planifikuar, shqetësimet, humbjet, “errësira” që ka përjetuar ai si njeri, janë përkthyer në këto punë ku ndihet e vërteta, drita dhe optimizmi.

“Ajo që e bën konkrete veprën time, nuk është të menduarit se jam artist, por të qënit i përulur përpara fjalës së madhe ART, i përulur me dyshime dhe i brishtë si fëmija”, thotë Gorishti.

Tensioni i brendëshëm që shoqëron atë, enigma, mosdeklarimi i tij si artist, e karakterizojnë Gorishtin edhe në aktrim e regji.

 

Së bashku me  ekspozitën  në GKA artisti prezanton edhe filmin “Breath”, “Frymë”,  i cili u vlerësua si filmi më i mirë debutes me metrazh të shkurtër në edicionin e 13-të të TIFF,  që pritet të konkurrojë në disa festivale të rëndësishëm në Evropë.

 

Artur Gorishti lindi në vitin 1962 në Tiranë. Në vitin 1982 u diplomua për topografi, por një vit më vonë nisi studimet për aktrim në Ish- Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.  Po në vitin 1983 nisi edhe kariera e tij artistike si aktor, ndërsa sot numëron rreth 40 role. Pasioni për fotografinë nis në fillim të viteve 2000, duke e bërë Gorishtin protagonist në disa konkurse dhe ekspozita fotografike.  Prej vitit 2005 jeton në Montreal, Kanada, ku ka aktruar në disa prodhime kinematografike dhe televizive. Në vitin 2013  botoi librin me tregime “Dyert”, të cilat ka nisur t’i realizojë në pelikul si skenarist dhe regjisor.

 

29 nëntor – 09 dhjetor 2015 , GKA             {:}