Ministry of Economy, Culture and Innovation

Ekspozita deradiane “Kalthëruar te dit’ e re…”
Kjo ekspozitë i kushtohet  krijimtarisë së De Radës dhe gjurmës së pashlyeshme kulturore që ajo la në botën kulturore mbarëshqiptare. Jo vetëm botimi i veprës së tij proliferike, por edhe ribotimet e ripunimet e shumta të kryera nga vetë autori e ato që do të vijnë më pas përbëjnë sot një bibliotekë më vete, e cila shfaqet edhe më e pasur e aktive kur asaj i bashkëngjitet kontributi i vetë De Radës për shtypin arbëresh dhe botën kulturore shqiptare. Autor i domosdoshëm në librat shkollorë të çdo epoke, në faqet kritike e përkujtuese të shtypit shqiptar, por edhe sfidë e pasion i fuqishëm interpretimi për shumë studiues e kritikë të letrave shqipe, figura e Jeronim De Radës ripërkufizohet në këtë 200-vjetor të lindjes si themeluesi par excellence i letërsisë shqipe si e tillë.

Në përurimin e kësaj ekspozite, studentë të Klubit të dramës së Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë së Universitetit të Tiranës do të interpretojnë në arbërisht një kolazh nga dialogët e dramatizuara të “Këngëve të Milosaos”, kolazh i cili do të jetë edhe kolonë zanore e pjesshme e ekspozitës, së bashku me elemente muzikore të këngëve dhe valleve arbëreshe.

Dhurimi i botimit jubilar “ Jeronim de Rada – vepra”, në 6 vëllime, Bibliotekës Kombëtare nga Ministria e Kulturës.

Botimi anastatik antologjik “Jeronim de Rada dhe shtypi shqiptar 1887- 1944”
Ky botim anastatik shenjon një homazh që dy bibliotekat kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës ndërmarrin në kremtimet e 200-vjetorit të De Radës. Ai është menduar si një antologji e përzgjedhur e shkrimeve dhe komenteve më të bukura kritike të botuara në shtypin kulturor shqiptar, duke sjellë kështu në vëmendjen e publikut jo vetëm kontributet e kritikës përmes emrave më të spikatur të saj, por edhe ndjeshmërinë e veçantë që gëzonte vepra dhe emri i De Radës në botën kulturore shqiptare deri në vitin 1944.

Hartimi i bibliografisë:  “Jeronim de Rada në tekstet shkollore shqiptare 1912-2014”.
De Rada si një nga figurat e spikatura në letërsinë shqipe ka zënë një vend të veçantë në tekstet shkollore të arsimit të mesëm. Për herë të parë një bashkëpunim mes Bibliotekës Kombëtare dhe Fakultetit të Histori-Filologjisë, kryesisht Shkollës Doktorale në departamentin e Letërsisë kurorëzohet jo vetëm me një studim të thelluar mbi De Radën dhe veprën e tij në tekstet shkollore, qofshin botime apo ribotime të periudhave të ndryshme të pas 1912-ës, por edhe me një bibliografi, e cila do të shërbejë si burim informacioni dhe vijim i hulumtimeve të mëtejshme mbi De Radën. Nëpërmjet kësaj bibliografie arrihet identifikim i pranisë së De Radës në tekstet shkollore të periudhës 1912-2014. Ajo do të mbështetet edhe nga një botim digjital në ËebSite e BKSH-së.

Konferenca shkencore: Rikthim tek poezia e De Radës
Konferenca e Shkollës Doktorale të Studimeve Letrare, rreket të shtrojë pyetje mbi potencialin dialogjik dhe interpretues të njërit prej autorëve më të përfolur dhe më pak të lexuar të letërsisë shqipe në shkollë, Jeronim  De Radës duke nisur nga tekstet  e letërsisë në shkollë në 100 vitet e fundit. Nëse në diakroni, dialogu me tekstin e De Radës ka kaluar nga njohja tek interpretimi, nga interpretimi tek deformimi, nga deformimi tek klishetizimi, nga klishetizimi tek mosnjohja, studimet e paraqitura në konferencën “Rikthim te poezia e De Radës” zbulojnë gjurmët e kësaj rruge nëpër historinë e teksteve shkollore të letërsisë, për të mos e gabuar më, sërish.
Kjo konference, në të cilën marrin pjesë edhe studiues, kritikë, botues dhe specialist të arsimit, kërkon të luajë rolin e një Forumi në të cilin do të trajtohet për herë të parë në një shkallë të gjerë problematika dhe sfida e rikthimit te vepra e De Radës, dhe përmes saj, duke hulumtuar modele dhe koncepte të reja, te trajtimi i letrarësisë së letërsisë shqipe në arsimin shqiptar.

Biblioteka Kombëtare, 16 dhjetor 2014{:}