Ministry of Economy, Culture and Innovation

Si simbol i kulturës dhe i dijes, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë festoi 104-vjetorin e themelimit të saj. Ndonëse institucionet bibliotekare të shqiptarëve në shtetin e tyre janë relativisht të reja, tradita bibliotekare në Shqipëri është e vjetër. Pozicioni gjeo-historik i shqiptarëve në zonën e kalimit nga Perëndimi në Lindje dhe anasjelltas u mundësonte atyre kontaktet librore si me Kostandinopojën, ashtu dhe me zhvillimet e “përtejdetit”.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrik 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luftës së Parë Botërore. Më 1920, ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë.
Mbas këtij viti u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar.
Sot, BKSH-ja është qendra arkivore e të gjitha botimeve duke mbledhur, përpunuar, restauruar, ruajtur dhe vënë në dispozicion të publikut trashëgiminë e shkruar kulturore të popullit shqiptar.
Përtej kufijve të kohës, të kujtuarit e një përvjetori i bën nder individëve të panumërt që kontribuojnë në rritjen e BKSH-së. Sakrificat e tyre, shpesh të padukshme, kanë hedhur themelet për një institucion që vijon të ndriçojë mendjet dhe të frymëzojë brezat e rinj.
MEKI po punon për projektin e ri të Bibliotekës Kombëtare II si edhe për zgjidhjen e problematikës me ambientet dhe sigurinë e BKSH në Pallatin e Kulturës, ku do të investohet për muzeimin e ekspozimin e thesareve arkivore e historike, me një koncept institucioni qendror ceremonial.