Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=3721]

Shqipëria anëtarësohet  në rrjetin e BJCEM “Biennale des Jeunes Créateurs de l’Europe et de la Méditerranée” (Bienale e Artistëve të Rinj nga Evropa dhe Mesdheu).  Ky anëtarësim realizohet në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë midis Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Torinos,  nënshkruar në Torino 2015 nga Ministrja e Kulturës,  Mirela Kumbaro Furxhi dhe Kryetari i Bashkisë së Torinos, Piero Fassino .

Ministria e Kulturës, në kuadër  të  politikave promovuese për artistët e rinj dhe zgjerimit të bashkëpunimit kulturor në rajonin e Mesdheut  e më gjerë, nëpërmjet anëtarësimit  në BJCM  do t’u krijojë  mundësi pjesëmarrjeje artistëve të rinj  në të gjitha aktivitetet, konferencat, rezidencat, ekspozitat, etj, që  ky rrjet do të organizojë.  Vendet e anëtarësuara në rrjetin BJCEM, kanë votuar unanimisht hyrjen e Shqipërisë në këtë rrjet, duke e parë me shumë interes, fillimin e një bashkëpunimi përfitues midis ideve, vizioneve  dhe mundësive të përbashkëta të artistëve nga Europa dhe Mesdheu.

BJCEM e cila organizon çdo dy vjet Bienalen e artistëve të rinj, ka propozuar organizimin e kësaj Bienale për vitin 2017 në qytetin e  Tiranës, pas zhvillimit të edicioneve të kaluara në Torino, Romë, Sarajevë, Athinë, Napoli, Bari dhe Shkup.

Shqipëria, falë anëtarësimit, tashmë ka marrë pjesë në takimin e  radhës së  Bordit të Drejtorëve të Organizatës Ndërkombëtare të Bienales së Artistëve të Rinj nga Evropa dhe Mesdheu (BJCEM),  që u zhvillua në Cetinjë, ku u diskutua në lidhje me organizimin e Bienales së ardhshme dhe seancave të veçanta mbi shembullin dhe praktikat më të mira të BJCEM në zgjerimin e rrjeteve, misionit dhe aktivitetet që janë pjesë e këtij rrjeti.

Qëllimi i BJCEM nuk mbetet vetëm organizimi i Edicioneve të Bienaleve, por synon që të japë mundësi afatgjata për artistët e rinj të cilët do të marrin pjesë në konferenca, takime dhe aktivitetet të ndryshme që organizon ky rrjet.

BJCEM, Biennale des Jeunes créateurs de l’Europe et de la Mediterranee, është një rrjet ndërkombëtar i themeluar në Sarajevë, në korrik 2001, gjatë edicionit të X-të  të ngjarjes me  të njëjtin emër. Në ditët e sotme, rrjeti përbëhet nga 55 anëtarë nga 17 vende , përfaqësues të institucioneve kulturore, si dhe organizatave  të pavarura.  BJCEM ka krijuar bashkëpunime me partnerë në të gjithë Evropën, Lindjen e Mesme, Afrikën  dhe më gjerë me organizata dhe projekte të fokusuara në diasporën e Mesdheut. Qëllimi i shoqatës është të krijojë mundësi për artistët e rinj për të realizuar dhe  shfaqur veprat e tyre dhe për ti mbështetur në  procesin e tyre të krijimit  dhe  të kërkimit artistik.

Bienalja e artistëve të rinj nga Evropa dhe Mesdheu,  mbetet një ndër aktivitetet më të rëndësishme që organizon  BJCEM , një ngjarje që çdo dy vjet mbledh në një qytet të ndryshëm, me qindra artistë të rinj së bashku,  tregon artin e tyre në disiplina të ndryshme,  në  kinema , muzikë, ushqim, art pamor, teatër,  kërcim dhe letërsi.

BJCEM ka organizuar 17 bienale  të saj që nga data e krijimit, me një përfshirje të  më shumë se 10.000  artistëve  të rinj.

Edicioni i fundit i Bienales- Mediterranea 17 Young Artists Biennale-  është organizuar nga BJCEM dhe qyteti i Milanos  duke mbledhur  së bashku më shumë se 300 artistë.

BJCEM ka paraqitur dy kandidaturat e mundshme  të  Bienales së ardhshme 201,  të cilat janë Tirana, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës dhe, qyteti i Seviljes në Spanjë, vendim i cili do të merret në Asamblenë e Përgjithshme, që do të mbahet në muajin qershor 2016.

 

Informacione : http://www.bjcem.org

http://www.bjcem.org/join-us/{:}