Ministry of Economy, Culture and Innovation

Pas suksesit me restaurimin e Pazarit Historik të Gjirokastrës, nis një tjetër bashkëpunim i rëndësishëm mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit në fushën e trashëgimisë kulturore. Parku Kombëtar i Butrinit do të ketë brenda pranverës së vitit tjetër Planin e Integruar të Menaxhimit. Sot është bërë prezantimi i projektit dhe nënshkrimi i kontratës mes AADF-së dhe studios britanike të përzgjedhur për realizimin e planit.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro theksoi se përpara nisjes së punës për ndërtimin e planit, ishte domosdoshmëri pasja e një kornize ligjore të konsoliduar, çka u konkretizua në maj të këtij viti kur Parlamenti miratoi ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, ligj për të cilin asistoi gjithashtu edhe AADF-ja.

“Hartimi i këtij plani është një përgjegjësi e madhe. Dhe dua që studioja të jetë e ndërgjegjshme për këtë, ashtu sikurse dua ta siguroj se jemi bashkë në këtë etapë të re të zhvillimit të Trashëgimisë Kulturore. Unë besoj se me Fondacionin po nisim një sfidë të re, shumë të bukur, por që tejkalon kufijtë e vendit, sfidën e menaxhimit të ri të një Trashëgimie Botërore. Gjithashtu ky është një moment për t’i dhënë me qetësi përgjigje, disa pyetjeve, dilemave ose edhe sulmeve, po të doni që janë bërë rreth Butrintit”, tha Kumbaro, duke theksuar gjithashtu se e gjithë puna përgatitore për planin është bërë në komunikim të vazhdueshëm me UNESCO-n.

Sipas ministres së Kulturës, Plani i ri Menaxhimit të Integruar të Butrinit do të adresojë si duhet të gjitha sfidat e kohës me të cilat përballet ky xhevahir i kurorës së trashëgimisë tonë kulturore. Kujtojmë këtu që Butrinti ishte siti i parë shqiptar që u pranua në UNESCO në vitin 1992.

AADF ka kontraktuar kompaninë “Prince and Pearce” nga Britania e Madhe, e cila ka një përvojë të gjatë në hartimin e planeve të menaxhimit në sitet e trashëgimisë botërore. Projekti ndërmerret fill pas miratimit të Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë të miratuar në maj të 2018 dhe është i pari i këtij lloj që do të implementohet nga institucionet e reja të trashëgimisë që do të krijohen. Hartimi i Planit të Integruar të Menaxhimit të Butrintit do të financohet nga AADF me një vlerë total $250,000 dhe do të zgjasë 7 muaj midis tetor 2018 – prill 2019. E gjithë kjo fazë do të drejtohet nga AADF në koordinim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe palë të tjera të interesuara në Butrint.

Plani parashikon të adresojë çështje të cilat janë të mbartura nga shkuara dhe nga ana tjetër të jap zgjidhje mbi kontekstin e ri të krijuar me ligjin e trashëgimisë. Bazuar mbi këtë ekspertizë plani i ri i menaxhimit do të ofrojë udhëzime dhe politika, bazuar në praktikat më të mira për menaxhimin e integruar të vlerave kulturore dhe natyrore; të bëjë propozime për mundësitë e zhvillimit ekonomik në sit dhe përreth tij (zona tampon) duke përfshirë aktivitetet e turizmit dhe kohës së lirë; të propozojë një strukturë menaxhimi për funksionimin e sitit dhe të rrisë kapacitetet e stafit drejtues të parkut.

Në përfundim, plani i ri do të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkun Kombëtar të Butrintit 9,000 ha.{:}