Ministry of Economy, Culture and Innovation

Të nderuar kolegë të medias!

Në datën 9 shtator 2014 në TV KLAN dhe ABC NEWS është transmetuar kronika televizive me titull “Shtohen dyshimet për abuzime me dasmën e Veliaj-t”. Në kronikë, mes të tjerash thuhet (citojmë) :

“Ministria e Kulturës vijon të mbajë të fshehur dokumentacionin për vënien e Kalasë së Gjirokastrës në funksion të Festivalit të Trashëgimisë Kulturore, TrakuFest dhe të dasmës së Ministrit Erion Veliaj”.

Ministria e Kulturës sqaron në lidhje me këtë kronikë, (pa autor, pa emër) , përgatitur nga TV KLAN, se shpiken fakte të pavërteta, paraqiten të dhëna të pasakta dhe hidhen dyshime të paqena mbi institucionin tonë.

Në dijeni të medias suaj, opinionit publik dhe taksapaguesve shqiptarë sqarojmë se më datën 9 shtator 2014 këshilltarja për median dhe informimin është kontaktuar nëpërmjet telefonit nga gazetarja e kronikës kulturore, Enkelejda Mema. Gazetarja, në emër të medias TVKLAN që përfaqëson, kërkoi t’i vihet në dispozicion një kopje e plotë e dokumentit zyrtar, në lidhje me aktivitetin e datës 6 shtator në Kalanë e Gjirokastrës.

Në vijim të sqarimit ripërsërisim përgjigjen e dhënë gazetares suaj se Ministria e Kulturës respekton nenin 23 të Kushtetues, i cili garanton të drejtën e informimit si e drejtë themelore dhe zbaton ligjin nr.8503, datë 30.6.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ligj i cili garanton ushtrimin e të drejtës së informimit mbi dokumentat zyrtare.

Vazhdojmë t’ju kujtojmë se ligji në fjalë shprehet se “për t’u njohur me dokumentat zyrtare, Ju duhet t’i drejtoheni me një kërkesë organit të administratës shtetërore përkatës që disponon këtë dokument. Kërkesa duhet të depozitohet në çfarëdolloj mënyre (postë, faks, dorazi, etj) në organin e administratës shtetërore, apo entin publik”.

Vazhdojmë t’ju bëjmë me dije se, në vijim të kërkesës suaj, kemi qenë dhe jemi gjithmonë në zbatim të ligjit për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare.

Në pritje të kërkesës suaj Ministria e Kulturës kërkon të ndërprisni pa hezitim transmetimin e kronikës së mësipërme, të cilën e cilësojmë të pavërtetë, manipuluese dhe në kundërshtim me ligjin për informim.

Duke ju falenderuar për vëmendjen tuaj në pasqyrimin e punës së Ministrisë së Kulturës, besojmë në bashkëpunimin me Median tuaj edhe në të ardhmen.{:}