Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=9841]

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në datën 4 shtator komunikoi me mediat një konferencë për shtyp, në ambientet e QRVA. Konferenca u mbajt në lidhje me zhvendosjen e statujave të Nënë Terezës, në kuadër të ndërhyrjeve dhe rehabilitimit të sheshit me të njëjtin emër. Ministrja Kumbaro u shpreh në fjalën e saj se:

“Në kuadër të punës që po bën Ministria e Kulturës dhe qeveria shqiptare, në kuadër të asaj që Shqipëria po realizon për vizitën e Papës në shtator, ku vetë ju gazetarët keni qenë të pranishëm në një pjesë të këtyre përgatitjeve që po bëhen në sheshin “Nënë Tereza’, në rikonstruksionin e Pallatit të Kongreseve që do të kthehet në një qendër ndërkombëtare të medias dhe Muzeut Historik ku do të zhvillohen aktivitete kulturore dhe Pallatit të Kongreseve, pra në kuadër të rehabilitimit të sheshit po kryhet edhe mirëmbajtja, restaurimi dhe pastrimi i dy statujave të Nënë Terezës, përkatësisht të veprës së realizuar nga skulptori Thoma Thomai (fitues i çmimit të parë) dhe Luan Mulliqi (fitues i çmimit të dytë), të konkursit të realizuar nga Galeria Kombëtare në vitin 2003.

Vendimi për zhvendosjen e statujave u mor nga Këshilli Kombëtar i Territorit, në mbledhjen e dates 22 gusht. Vendimi erdhi pas ekspertizës së kryer nga QRVA. Të dyja statujat kanë nevojë për restaurim, prandaj siç edhe e shihni janë sjellë në Qendrën e realizimit të Veprave të Artit, ku po punohet pandërprerje nga specialistët e restaurimit të veprave të artit. Statuja e Nënë Terezës e autorit Luan Mulliqi, u zhvendos nga rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit dhe sot ndodhet në oborrin e QRVA, për t’iu nënshtruar të gjitha proceseve teknologjike të pastrimit dhe restaurimit, njësoj si edhe statuja e realizuar nga Thoma Thomai.

Dua të theksoj se të gjitha abuzimet që janë përhapur në media, apo në rrjetet sociale, lidhur me vendosjen e statujës së Nënë Terezës në ambiente të papërshtatshme, në plehra, e të tjera komente të tjera të këtij lloji janë abuzime totalisht të pavend, totalisht të panevojshme, edhe nëse përdoren për qëllime sensacionale, edhe nëse përdoren për qëllime politike. Më duket abuzive që të spekullohet me emrin e Nënë Terezës, sheshi i së cilës po rehabilitohet dhe po rikthehet në gjendje të shkëlqyer, ashtu si e meriton vetë emri i saj, i kësaj figure të rëndësishme për të gjithë shqiptarët dhe mbarë botën. E shoh të pavend spekullimin në në një moment të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, siç është edhe vetë vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, kjo ngjarje e rëndësishme për vendin dhe të gjithë shqiptarët, vizitë kjo që respekton dhe vlerëson Shqipërinë si vendin e paqes , harmonisë dhe bashkëjetesës fetare. Unë besoj që edhe vetë bashkëpunimi që ne kemi në rehabilitimin e sheshit “Nënë Tereza” me bashkinë e Tiranës, me të cilën kemi ndarë punët, një bashkëpunim institucional që ne synojmë të jetë tërësisht i koordinuar, është provë e kësaj fryme, – tha ministrja Kumbaro. Ju faleminderit që na ndiqni!

Në konferencë ishte i pranishëm dhe drejtori i QRVA, Agim Rada , i cili duke lënë mënjanë vlerat artistike të veprës , realizuar nga Luan Mulliqi, u shpreh për pjesën e realizimit se “Është një vepër e nxituar, realizuar jo në kushte optimale dhe e derdhur në mënyrë difektoze.

Vendimet qe janë marrë nga KKT dhe po realizohen nga kjo qendër janë në të mirë e në respekt të kësaj figure madhore. Vepra duhet të kalojë në një proces , i cili vështirësohet pasi kjo vepër është lyer me bojë antiruxho (njësoj si, pasi të kesh veshur një ndërtesë me mermer, mbi të ti jepet një dorë gëlqere), bërë kjo për ti hedhur hi syve publikut, të cilët janë taksapaguesit, dhe sa për dijeni, nuk ju ka kushtuar pak. Sqaroj se procesi i restaurimit kryhet vetëm në natyrë (eksterier). Statuja do ti nënshtrohet një restaurimi total, ku si proces i parë është djegia e bojës dhe më pas trajtime me acide dhe solucione të ndryshme që janë të rrezikshme për ambientet e brendshme.

Përsëris edhe njëherë se vendndodhja e statujës është oborri i QRVA, ku, statuja e “Nënë Terezës” ruhet 24 orë nga rojet tona të institucionit. Do të ishte në të mirë të opinionit qytetar si dhe të vetë atyre gazetarë, që, përpara dhënies së lajmit, të informoheshin me ne, specialistët e kësaj fushe”, përfundoi Rada.

Ministria e Kulturës sqaron se zhvendosja e statujave është kryer brenda të gjithë procedurave ligjore dhe në përputhje me ligjin. Pas ekspertizës së QRVA drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Planifkimit Strategjik për Artin dhe Kulturën, kjo e fundit propozoi KKT dhënien e lejes zhvillimore të veçantë për: “Për zhvendosjen e statujës së Nënë Terezës që ndodhet pranë aeroporti ‘Nënë Tereza” për restaurim në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit” “Për zhvendosjen e statujës së Nënë Terezës pranë Universitetit Politeknik të Tiranës në rrethrrotullimin e Aeroportit “Nënë Tereza”.

Këshilli Kombëtar i Territorit, në mbledhjen e datës 22.08.2014 miratoi lejen zhvillimore të veçantë për zhvendosjet e propozuara. Ekspertiza e kryer nga QRVA sa më poshtë:

Nga analiza e specialistëve u konstatuan të meta nga ana teknike në këto monumente të cilat ndikojnë negativisht në vizionin figurativ për të cilën ato janë realizuar. Për këtë arsye këto vepra duhet t’i nënshtrohen një procesi të restaurimit dhe rifreskimit të tyre pasi gjendja është tejet e amortizuar. Në këto kushte, referuar statujës të shenjtores Nënë Tereza, që gjendet aktualisht pranë Universitetit Politeknik, konstatohen:

  • Deformim dhe mospërputhje me bazamentin.
  • Agjentët atmosferikë kanë hequr shtresat e tonimit.
  • Mungon tërësisht shtresa e dyllit si dhe për këtë arsye bëhet një larje totale me acid nitrik, duke iu nënshtruar një procesi kimik që ndikon në bronz nga e para.

Referuar statujës pranë rrethrrotullimit të Aeroportit “Nënë Tereza” , pasi u vërejtën nga specialistët tanë, u konstatua:

  • Deformim dhe mospërputhje me bazamentin.
  • Agjentët atmosferikë kanë hequr shtresat e tonimit.
  • Mungon tërësisht shtresa e dyllit si dhe për këtë arsye behet një larje totale me acid nitrik, duke iu nënshtruar një procesi kimik që ndikon në bronz nga e para.
  • Lyerja me bojë antiruxho ka shkaktuar dëmtime, që kërkon djegien e bojës dhe më pas trajtime me acide dhe solucione të ndryshme që janë të rrezikshme për ambientet e brendshme.
  • Gjithashtu, mbi këtë statujë kanë vepruar edhe jashtëqitjet e shpendëve duke krijuar korozion, i cili eliminohet duke u trajtuar kimikisht.

 

Duke marrë në konsideratë edhe madhësinë e veprës (pothuajse 3-herë më e madhe së vepra e lart përmendur) do të kërkojë një periudhë pune 2 mujore restaurimi.

Pas një vlerësimi që iu bë në kuadër të rehabilitimit të sheshit dhe të këtyre përgatitjeve u vendos dhe u gjykua që statuja e Thoma Thomait të vendosej mbi një piedestal i cili është duke u përgatitur deri në mbërritjen e papa Françeskut në Shqipëri. Për statujën e Luan Mulliqit pritet një vendim i dytë nga KKT për vendosjen e saj.

Foto: LSA{:}