Ministry of Economy, Culture and Innovation

Me datë 15 Prill 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve, Ambasada e Turqisë dhe Insitituti Kulturor Junus Emre në Tiranë kanë kënaqësinë e veçantë të hapin për publikun në sallën e Ekspozitave të Përkohshme të GKA, ekspozitën “Me dashuri nga Stambolli”, të një prej artistëve më të njohur turq, Devrim Erbil. Ky është prezantimi i parë i këtij artisti në Shqipëri me një ekspozitë personale dhe kurohet nga Beste Gürsu.

Ekspozita tregon një përzgjedhje prej rreth tridhjetë veprash në pikturë, shumica në teknikën akrilik në kanavacë dhe në dimensione të mëdha, të cilat në fokusin e tyre kanë Stambollin. Bukuria legjendare e natyrës së këtij qyteti dhe pamjet panoramike të krijuara nga dora e njeriut kanë frymëzuar artistë të ndryshëm për shekuj me radhë. Ata i kanë dhënë një histori të gjatë artit turk.

Devrim Erbil lindi në vitin 1937. Ai studioi pikturë në Akademinë Shtetërore të Arteve të Bukura në Stamboll në 1955 fillimisht nën Halil Dikmen dhe më vonë në studion e Bedri Rahmi Eyüboglu. Nga viti 1965 stili unik i piktorit Devrim Erbil tërhoqi vëmendjen e një audience ndërkombëtare. Atij iu dha një bursë arti nga qeveria spanjolle për të studiuar pikturë në Madrid dhe Barcelonë. Më vonë vazhdoi karrierën e tij akademike në Paris dhe Londër. Më 1968 Erbil u zgjodh “Artisti i ri i vitit” në Turqi dhe në 1991 u nderua me titullin e rëndësishëm “Artist i Shtetit të Turqisë”.

Përveç karrierës së tij në pikturë Devrim Erbil ka dhënë kontribut për zhvillimin dhe promovimin e arteve në Turqi. Ka qenë President i Shoqatës Turke të Arteve dhe President i Shoqatës së Arteve Pamore Bashkëkohore. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i Muzeut të Pikturës dhe Skulpturës në Stamboll.

Erbil ka një karrierë të pasur dhe të gjatë edhe në qarqet akademike. Aktualisht është Profesor i Pikturës në Departamentin e Pikturës në Universitetin Mimar Sinan.

Ashtu si thotë përshkrimi në Christie’s, shtëpia e famshme e ankandeve, ku veprat e këtij autori kapin shifra të konsiderueshme, me dhjetëra mijë dollarë, puna e hershme e Devrim Erbil të kujton fort veprat dhe ilustrimet e Matrakci Nasuh, një nga figurat më të rëndësishme të Turqisë së shekullit të 16, dhe aktiv gjatë kohës së Sulltan Sulejmanit të Mrekullueshëm, të cilat kombinonin një mori ngjyrash natyrore me perspektivën ajrore dhe lartësinë horizontale. Në pikturat e mëvonëshme Devrim Erbil trajton perspektivën dhe proporcionet në mënyrë më natyrale, ndërsa ngjyra në punët e tij bëhet monokrome dhe ekspresive.

Me datë 15 Prill 2015, ora 11.00, në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp gjatë së cilës kuratorja Beste Gürsu dhe vetë artisti Devrim Erbil do ta prezantojnë ekspozitën më gjerësisht.

15-17 maj 201, GKA{:}