Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=2723]

Kumbaro: Kemi sjellë në zemër të Europës një copëz të historisë së Shqipërisë, një faqe të pasaportës sonë kulturore

Ministrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro ka qenë e pranishme në ceremoninë e hapjes së ekspozitës Dinastia Marubi -100 vite të studios fotografike shqiptare’, në Amsterdam, së bashku me drejtoreshën e FOAM znj. Marloes Krijnen, kuratoren e ekspozitës Kim Knoppers, Drejtorin e Muzeut Marubi Luçjan Bedeni, ambasadoren holandeze në Shqipëri, Dewi van de Weerd, ambasadoren shqiptare në Holandë Aida Sakiqi, ambasadoren e Kosovës në Holandë Znj. Vjosa Dobruna si dhe personalitete të tjera të njohura. Ekspozita me fotot e Marubit u prit me kureshtje dhe interes të veçantë nga publiku holandez, ndërsa në fjalën e saj Ministrja Kumbaro prezantoi një copëz të historisë 100 vjeçare të kësaj dinastie.
“Niseshin nga gjithë Shqipëria në Shkodër, në skajin verior të vendit, veç për atë fotografi, mbi kolltukun e pashmangshëm ku uleshin pa fund, personazhet e fillim-shekullit XX, gjithë shoqëria shqiptare kalonte në atë sfilatë, me po atë sfond floreal që imitonte kopështin, dhe krahun e zonjave mbështetur.
Një ritual elegant oksidental të kuruar deri në detaje, që alternonte portretet me veshje tradicionale, me vështrime befasuese, sidomos femërore që nga ezmerja deri te turçelesha, nga lypsarja deri te madama, duke e kthyer çdo portret në një arketip”, tha Kumbaro.

Ministrja e cilësoi këtë ekspozitë jo vetëm një faqe e pasaportës sonë kulturore por mbi të gjitha si një ftesë për të vizituar Shqipërinë, sepse siç theksoi ajo “pasaporta jonë ka shumë faqe që duhen prekur”

“”Kemi sjellë këtu në zemër të Europës një copëz të Historisë së Fotografisë Shqiptare si një faqe të pasaportës sonë kulturore, por edhe si një ftesë për të ardhur në Shqipëri, sepse pasaporta jonë ka shumë faqe që duhen prekur në vend”.

Kumbaro ka ndarë me të pranishmit edhe detaje personale për rëndësinë dhe famën që kishte Marubi në Shqipërinë e varfër e të paurbanizuar të viteve 30, ku mungonin rrugët e makinat, e ku njerëz nga gjithë skajet e vendit niseshin enkas drejt Shkodrës veç për të pasur një foto nga studio e Marubit.

“Ishte një kohë, dicka më pak se një shekull më parë, kur në Shqipërinë pa rrugë, pa transport, pa teatër, pa ekspozita, kishte shqiptarë që merrnin rrugën, nga qoshe të tjera të vendit për të bërë një foto në studion Marubi – këtë më rrëfente gjyshja nga ime nga Gjirokastra ne jug te Shqiperise, tek më tregonte me krenari foton e saj e të gjyshit tim në fillim të viteve 30”.

“Sot – përfundoi Kumbaro, – “është koha kur duhet marrë avioni, trageti, apo makina, për të vizituar Muzeun më të bukur të Fotografisë në Ballkan pa dyshim! – por edhe me krenari do të thoja, një muze dinjitoz europian”

{:}