Ministry of Economy, Culture and Innovation

“Shpëto thesarin!” Kështu quhet portali online, ku të gjithë mund të hyjnë për të denoncuar çdo rast shkeljeje e dëmtimi që u shkaktohet monumenteve të kulturës.  Si dëshmi angazhimi, Ministria e Kulturës ka prezantuar pikërisht dje, në Ditën e Trashëgimisë, këtë faqe online. Rastet e para janë shënuar tashmë. Janë ato të masakrave të regjistruara në Kishën e Shën e Premtes në Elbasan, në zonën e mbrojtur në Durrës, në Kishën e Shën Gjergjit në fshatin Libofsha të Fierit apo Kishën e Shën Triadhës në Lavdar të Korçës… “Trashëgiminë kulturore jemi mësuar ta shohim këto dekadat e fundit edhe si turizëm, burim ekonomik e mundësi zhvillimi. E bukur është kur e mendon kështu, por dhe në një ekuilibër shumë të brishtë, sepse ka nevojë të mbrohet, të shpëtohet dhe të dalë në dritë. Pasuria kulturore po iku, s’kthehet më. Nuk duhet ta lëmë të ikë. Nuk duhet ta lëmë të vdesë dhe as të vritet. Ajo ka nevojë për të gjithë ne që e duam. E duam për vete, e duam për brezat, e duam se na do me shkëlqimin e saj. Mos e kurseni dashurinë për të, se ajo nuk na e harron dhe na e kthen shumëfish. Mos u tut! Mbroje kulturën, mbroje trashëgiminë, mbroje monumentin, mbroje kalanë, gurin, thesarin, fuqinë magjike të kujtesës, legjendën dhe të vërtetën e saj të bukur. Janë të tuat, tonat! Shpëto monumentin! Shpëto kulturën!”, shkruhet në portalin shpetothesarin.com.

Ishte vetë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, që e prezantoi këtë nismë, gjatë takimeve që u zhvilluan me rastin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë. Dita u hap me një bashkëbisedim mes studentesh, pedagogësh dhe specialistëve të Trashëgimisë Kulturore, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, ku u vu theksi në rëndësinë e lidhjes mes studimit, kërkimit, ruajtjes, rijetëzimit, punësimit, si dhe domosdoshmërisë së Departamentit të ri të Arkeo-Trashëgimisë. “Ne sot bëmë publike një faqe online “shpëtothesarin.com” ku të gjithë mund të denoncojnë çdo dëmtim që mund t’u bëhet objekteve të trashëgimisë kulturore, kudo që ndodhen. Kështu do mbrohen ato objekte që janë vlerë e vendit dhe trashëgimisë kulturore. Hapi i parë konkret në ditët e para të detyrës dhe sfidës që kemi marrë përsipër është mbrojtja e trashëgimisë dhe rivitalizimi i saj. Ky është vetëm një hap sensibilizimi i qytetarëve lidhur me vlera e trashëgimisë kulturore. Ndërsa do vijohet me hapat e tjerë për të konkretizuar mbrojtjen e këtyre vlerave. Dhunuesit do të vihen para drejtësisë”, u shpreh ministrja Kumbaro, duke shtuar se nuk do të përsëriten më rastet kur grabitësit largohen në “drejtim të paditur”, duke treguar gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe ngritjen e strukturave të posaçme.{:}