Ministry of Economy, Culture and Innovation

I urojmë suksese drejtoreshës së re të Galerisë Kombëtare të Arteve, znj. Adela Demetja!

Me një përvojë të spikatur ndërkombëtare dhe një vizion të qartë për artin bashkëkohor, Adela Demetja sjell në krye të institucionit më të lartë të arteve pamore në vend një energji të re dhe një rrjet të gjerë bashkëpunimesh ndërkombëtare.

Kuratore e lindur në Tiranë, ajo ka përfunduar studimet master në “Kurim dhe Kritika Arti” në Städelschule dhe Universitetin Goethe në Frankfurt, si dhe ka ndjekur programe të avancuara në Menaxhimin Evropian të Artit dhe Zhvillimin e Lidershipit. Prej vitit 2010, ajo ka themeluar dhe drejtuar Tirana Art Lab – Qendra për Art Bashkëkohor, një platformë e rëndësishme për artin eksperimental në Shqipëri dhe më gjerë.

Veprimtaria e saj kuratoriale përfshin bashkëpunime me institucione prestigjioze si Galeria Kombëtare e Kosovës, Teatri Maxim Gorki në Berlin, Portland Institute for Contemporary Art në SHBA, Bienalja D-0 Ark Underground në Konjic, Lothringer 13 Kunsthalle në Mynih, Villa Romana në Firence dhe Haus am Lützowplatz në Berlin.

Në vitin 2022, ajo përfaqësoi Shqipërinë si kuratore e Paviljonit Shqiptar në Bienalen e 59-të të Venecias me veprën e artistes Lume Blloshmi.

Galeria Kombëtare e Arteve së shpejti do të jetë Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura, një qendër moderne që do të përfaqësojë me dinjitet trashëgiminë kulturore, krijimtarinë dhe potencialin bashkëkohor të artit pamor shqiptar.

Adela Demetja është njëkohësisht drejtoresha e parë grua në historinë e institucionit, një hap domethënës drejt përfaqësimit të barabartë gjinor në drejtimin e institucioneve kulturore, si dhe një sinjal i qartë për integrimin e zërave të skenës së pavarur në rrëfimin institucional të artit në Shqipëri.