Ministry of Economy, Culture and Innovation

Të nderuar…. Një muaj më parë, në Konferencën dedikuar masave të marra për të garantuar një sezon të suksesshëm turistik në Shqipëri, Kryeministri Rama ndau historinë e një prej arkitektëve më të mëdhenj në botë, që kishte ardhur në Shqipëri nga Santiago i Kilit për të zbuluar transformimin e jashtëzakonshëm të një vendi 15 mijë kilometra larg, në cepin tjetër të botës. Ky është vetëm një prej rasteve të pafundme të vizitorëve, që janë magjepsur për një arsye apo për një tjetër nga zinxhiri i mrekullive që vendi ynë është në gjendje të ofrojë. Eshtë thënë dhe përsëritur shpesh se turizmi ofron një mundësi të jashtëzakonshme për të transformuar Shqipërinë dhe për të djegur etapat, në përpjekjen e një gjenerate për t’u ngjitur me shpejtësi në lartësinë e imagjinatës dhe ambicjes sonë. Parë në retrospektivë, turizmi që tani ka bërë një diferencë kolosale. Vendi i vogël që priste në kohën e izolimit të tij nga bota 1 mijë turistë në vit, në 2023-shin priti 10 milionë turistë të huaj, që sollën për ekonominë tonë 4.2 miliardë euro.

Turizmi sot mbështet direkt apo indirekt mbi 250 mijë vende pune. Një në pesë vende pune në Shqipëri janë të mundësuar apo mbështetur nga bumi i turizmit. Dhe nëse vendi ynë është sot në prag të arritjes së një niveli papunësie 1-shifror, me aktualisht papunësinë më të ulët në histori sipas INSTAT, vetëm 10,7%, një rol thelbësor në këtë dinamikë luan turizmi. Megjithatë, potenciali është ende i pashfrytëzuar tërësisht, ndaj dhe ftesa “Eja puno në turizëm” do të vijojë të bëhet gjithmonë edhe më tërheqëse. Shqipëria i është bashkuar “Champions League” të turizmit mesdhetar. Një kompeticion ku të tjerët përpara nesh, Greqia, Kroacia, Spanja apo të tjerë, me gjithë diferencat e qarta, kanë hedhur hapa absolutisht të ngjashëm. Në vitin 1951, kur Organizata Greke e Turizmit Kombëtar miratoi strategjinë e parë zhvillimin dhe standartizimin e turizmit, Greqia priste 33 mijë turistë. Në një dekadë, numri i tyre i 1 mijë fishua. Sot, pret 35-40 milionë në vit. Në Spanjë, valuta e ardhur nga pushuesit lejoi regjimin e Frankos të mbijetonte për 30 vjet. Më pas u bë katalizatori i një ndryshimi të jashtëzakonshëm ekonomik dhe social të vendit. Kroacia, e vonuar me disa dekada, ndoqi të njëjtat hapa.

Por, përpos të qënit vende turistike dhe Mesdhetare, ajo që bashkon Shqipërinë me Spanjën, Greqinë apo Kroacinë, është të qënit vende emigrantësh. Diasporat tona janë ndër më të mëdhatë në Europë e përtej. E nëse shembulli i këtyre vendeve është një udhërrëfyes, turizmi në secilin prej tyre shërbeu për të frenuar dekada emigrimi, duke u shndërruar në sektorin lider për joshjen e diasporave për t’u rikthyer apo investuar në vendet e tyre. Kjo është një sinergji të cilën ne po punojmë shumë për ta krijuar. Ndaj, fushata “Eja, Puno në Turizëm”, mbështetur nga Qeveria Zvicerane, ka një rol thelbësor për të:

· Promovuar vendet e lira të punës së shpallur në turizëm

· Rritjen e informimit të të rinjve rreth mundësive të punësimit

· Hulumtimin e një forme të qëndrueshme punësimi dhe karriere, një objektiv që shkon paralel synimit për të konsoliduar një sektor turistik të gjatë 365 ditë, e jo të përqendruar në vetëm 2-3 muaj.

· Si dhe të nxitjen e pjesëmarrjen e të rinjve punëkërkues dhe sipërmarrjeve punëdhënëse në përdorimin e shërbimeve dixhitale të punësimit.

Dua të theksoj se sipas të dhënave të “United Nations Development Programme”, 75% e hoteleve të anketuara shprehen se kanë nevojë për të paktën 1/3 më shumë

personel në periudhën e pikut. Nevoja për personel ishte një nevojë akute e përjetuar gjatë sezonit të fundit turistik dhe personalisht, nuk kam njohur ende një pronar apo manaxher hoteli që të thotë se është tërësisht i plotësuar me stafin. Në portalet tona të punësimit, si dhe në Zyrat e Punës janë ofruar në 2023-shin mbi 10 mijë vende pune në turizëm, por në të vërtetë, oferta ka qenë prej disa dhjetëra mijëra vendesh të lira. Është fakt se bumi i përjetuar së fundmi është një bum që ka tejkaluar çdo parashikim, përfshi edhe më optimistët prej tyre, prandaj ftesa drejtuar çdo të riu apo të reje për të punuar në turizëm nuk është më thjeshtë një ftesë emotive. Nuk është thjesht një ftesë romantike, e motivuar nga atdhetarizmi apo siç do të thonte Kadare, “nga unikaliteti i një vendi ku e shkuara dhe e tashmja jetojnë bashkë tek njerëzit, natyra dhe panoramat”. Por, është një ftesë e mirëpaguar, e mirëmenduar, që për këdo vjen së bashku me një tërësi mundësish për t’u rritur profesionalisht dhe personalisht, si dhe për të ndërtuar një jetë të mirëqënë përmes turizmit. Për të mbështetur këtë mundësi të jashtëzakonshme, jemi duke punuar për të:

· Dixhitalizuar shërbimet e punësimit dhe forcimin e një portali kyç në përpjekjet për zbutjen e papunësisë, atë të “Puna.gov.al”.

· Investuar në zgjerimin dhe forcimin e rrjetit të shkollave tona profesionale, si dhe ato të përgatitjes me kurse afatshkurtra në 10 qendrat e Formimit Publik.

Kemi formuar mesatarisht rreth 1.500 kuzhinjerë, recepsionistë, shërbime bar-restorant, pastiçierë, etj në këto qendra në vit, por duam që të vijojmë të rrisim edhe më tej kapacitetet e tyre. Më tej, ftesa “Eja” i drejtohet mëse 3 mijë djemve dhe vajzave që aktualisht kanë zgjedhur të studiojnë në arsimin profesional degën hoteleri-turizëm në 11 shkolla të dedikuara, si dhe gjeneratave të tjera përpara tyre. Si dhe mbi 200 mijë të rinjve që ndjekin arsimin e mesëm dhe të lartë, për të cilët turizmi është një mundësi e shkëlqyer e punësimit sezonal. Në fund, dua të bëj një thirrje publike për të gjithë ata që janë në kërkim të një pune, që të vizitojnë ëëë.puna.gov.al. Vizitoni këtë portal dhe njihnu me mundësinë gjithmonë e më të mëdha që ofrohen anembanë vendit, kudo në çdo qytet të Shqipërisë.

Kjo, është një biletë unike, simbolikisht, për t’u bërë edhe ju pjesë e finales së Champions League të turizmit europian dhe atij botëror