Ministry of Economy, Culture and Innovation

Në datat 29 maj – 22 qershor 2014 në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë hapet ekspozita e artistit Ilirian Shima, “Farajon”, me punime në mermer, dru, qeramikë dhe metal.

Veprat në skulpturë do të prezantohen në muzikën e kompozitorit Norbert Mazi, i cili me baladën e tij të sapo kompozuar për veprën “Briharpa” harmonizon dhe himnizon dashurinë. Tingulli i kontrabasit të tij shket e ujvaret butë mbi format e Shimës dhe i pasuron duke i përfunduar ato suksesshëm.

Ekspozita me 45 krijimet e artistit shpalos disa nga veprat e  tij në periudhat e hershme si janë veprat e vitit 1990 me titull  “Aenaon” dhe ajo e vitit 1998 me titull “Sisifos”(1998) për të arritur tek pesë krijimet më të fundit që ai krijoi enkas për ekspozitën e vendlindjes  së tij, në Galerinë Kombëtare të Arteve  “Mediterranean Earth” (2014, triptik, Bronx); “Eternity” (2014,dru); “The rape of Europa” (2014, bronx); “Briharpa” (2014, dru, tela dhe autoparlantë) dhe “Farajon” (2014, bronx).

“Farajon” emrin e të cilit mban dhe ekspozita ka lidhje me dashurinë që artisti ka për vendin e tij, për gjenezën e tij si shqiptar. Ai e ka realizuar këtë cikël me disa vepra arti duke u fokusuar  në organet riprodhuese njerëzore që ai me mjaft mjeshtri i ka ngritur në art. Artisti  në veprën ‘Farajon” është inspiruar nga imazhi i figures të një vëthi ilir, 4000 vjeçar, duke krijuar një vepër arti erotike (mashkullore) në skulpturë, që ai e çmon si fuqinë e madhe  ripërtëritëse për kombin shqiptar. Këtë imazh artisti e ka realizuar me një plastikë të  kombinuar të formave që ndërthuren me njëra tjetrën,duke krijuar dhe hapësira drite në mes formave që ndërthuren nga poshtë lart. Ai tërhiqet vitet e fundit dhe nga simbolika e disa pjesëve të trupit njerëzor, që autori e trajton sipas filozofisë së tij në punimet skulpturore.

Artisti Ilirian Shima ka realizuar edhe vepra për ambjentet e brendshme të disa institucioneve në Athinë, ku sigurisht zgjidhjet kompozicionale të tij janë të veçanta e të lidhura me temën që trajtojnë. Në fushën e realizimeve të dekoracioneve për porositësit e veçantë të vilave luksoze të Athinës dhe të ishujve grekë, emri i Ilirjan Shimës ka disa vjet që kërkohet të jetë i pranishëm në mjediset e tyre. Skulptori Shima në krijimtarinë e tij ka realizuar oxhakë dekorativë, tavolina, lavamanë e pasqyra me gdhendje arti, ku spikat intuita artistike e zgjidhjeve kompozicionale dhe mbi të gjitha magjija e një talenti të veçantë. Elemente të thjeshtë dekorativë si gjethe ulliri, gjethe akanthi, gjethe hardhije dhe vile rrushi, bëhen pjesë e rëndësishme e këtyre orendive që tashmë marrin dimensione të tjera estetike, duke i kthyer ato në vepra të vërteta arti dekorativ.

29 maj, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve{:}