Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=6159]

Artistët me famë botërore Ermonela Jaho, Gëzim Myshketa dhe Bichard Barker i janë përgjigjur ftesës  për një koncert bamirësie në Tiranë, organizuar nga CARITAS-i shqiptar,  nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës dhe mbështetjen e TKOB-së.
Koncerti u zhvillua në datën 14 dhjetor në skenën e TKOB-së me moton “Nuk ka rëndësi sa ndihmojmë, por sa dashuri dhurojmë teksa ndihmojmë”.

Të pranishëm në këtë koncert bamirësie Presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani, deputetë, përfaqësues të medias, artit dhe  shoqërisë civile, etj.
“Falenderojmë me shpirt artistët tanë të mirënjohur Ermonela Jaho, Gëzim Myshketa dhe Richard Barker për kontributin që japin sot në këtë solidaritet bamirësie. Solidariteti duhet mësuar dhe edukuar, ndërsa fëmijët me aftësi të kufizuar do të marrin sonte pak dashuri nga shoqëria shqiptare”- u shpreh Ministrja Kumbaro në  fjalën përshëndetëse.
Suksesi i dy artistëve shqiptarë në botë, prekja me skenën shqiptare sollën një koncert me plot emocione, ndërsa sopranoja Ermonela Jaho dhe baritoni Gëzim Myshketa  u shoqëruan dhe nga pianisti Richard Baker.
Programi i koncertit, ideuar me  pjesë nga vepra të kompozitorëve më të njohur botërorë, i tejkaloi parashikimet. Emocionuese mbetet interpretimi  i himnit  shqiptar dhe i këngës “Lule borë”, e  cila u këndua  nga  Jaho dhe Myshketa së bashku me sallën.
Ermonela Jaho ishte pjesë e kalendarit artistik të TKOB-së 2014 në muajin prill me shfaqjen operistike “Madam Butterfly”.  Në këtë koncert bamirësie ajo vjen pas suksesit  në Viener Staatsopera , ku do të vazhdojë interpretimin e Violetës edhe në datën 16 dhjetor 2014.
Baritoni Gëzim Myshketa ringjitet në skenën shqiptare pas prezantimeve të suksesshme në skenat  evropiane për vitin 2014. Suksesi i fundit i tij është me rolin “Don Xhovani”, Moxart, me regji të realizuar nga Graham Vick . Kritika italiane  e ka konsideruar protagonist absolut artistin shqiptar, i cili sipas medias mishëroi interpretimin më modern që i është bërë ndonjëherë Don Xhovanit.
E gjithë shuma nga shitja e biletave do të dhurohet për ndihmën e fëmijëve  me aftësi të kufizuar të qendrës Fushë-Krujë.

Foto: Adnan Beci{:}