Ministry of Economy, Culture and Innovation

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar kolegë e pjesëmarrës,

Kalendari kulturor dhe artistik i Shqipërisë turistike është një prioritet i rëndësishëm, e që tashmë vjen në mënyrë interaktive dhe gjithmonë e më të larmishme përmes aplikacionit “Tourism Events Albania” zhvilluar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit, e ku Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, falë punës së gjatë përgatitore së bashku me institucionet kulturore, ofrojnë për vitin 2024 një paketë më të larmishme aktivitetesh e ngjarjesh kulturore!

Parë në retrospektivë, turizmi që tani ka bërë një diferencë kolosale.

Midis të dhënave më të rëndësishme për këtë vit, dëshiroj të veçoj se përgjatë vitit 2024, MEKI mbështet mbi 2, 300 evente kulturore nga të cilat:

· 797 evente nga projektet e mbështetura të skenës artistike të pavarur, arteve pamore, shfaqje baleti, festivale, shfaqje muzikore, teatër, për të gjitha grupmoshat

· Mbi 1200 evente nga institucionet kulturore të cilat zhvillohen në sallat koncertore e teatrale dhe në sheshet kryesore të qyteteve, ose 23% më shumë krahasuar me vitin 2023

· Mbi 320 evente të Javëve Ndërkombëtare Kulturore, me 20 shtete pjesëmarrëse duke bërë bashkë kulturat mbresëlënëse nga e gjithë bota, e duke i mirëpritur në qytetet kryesore të Shqipërisë.

Aktualisht, vetëm në periudhën Maj – Qershor, MEKI ka mbështetur 275 aktivitete kulturore nga skena e pavarur, shfaqje, festivale, evente outdoor falas për publikun, të cilat gjenden tashmë të ngarkuara te aplikacioni TEA.

Një punë e rëndësishme është bërë për diversifikimin e axhendës kulturore dhe për të diversifikuar ofertën përtej kryeqytetit, e duke u shtrirë në të gjithë Shqipërinë, e duke shtuar gamën e aktiviteteve në qytetet kryesore:

· Shkodër +107%

· Durrës +217%

· Korçë +64%

· Vlorë +267%

· Berat +234%

· Pogradec +900%

Mes tyre, vlen të përmendet dhe rikthimi i eventeve në qytete të vogla, si Burreli, Fushë Arrëzi, Kolonja, Dropulli, Vau i Dejës, etj.

Tashmë edhe sitet kulturore të tilla si: parqet arkeologjike, muzetë, kalatë e monumentet e kulturës janë kthyer në skena të perfomancave artistike kombëtare e

ndërkombëtare duke tërhequr gjithmonë e më shumë vëmendjen e vizitorëve.

Turizmi kulturor është një sektor në rritje ku turistët udhëtojnë posaçërisht për t’u përfshirë në ngjarje dhe përvoja kulturore e ku shifrat e deritanishme, dëshmojnë për rritjen e ndjeshme të vizitueshmërisë për këtë vit, në total 350 mijë vizitorë deri në Maj 2024, krahasuar me vitin e kaluar:

· +53.3% më shumë parqet arkeologjike

· +60.1% më shumë në kalatë dhe monumentet e kulturës

· +71.4% më shumë vizitueshmëri në muzetë

Ngjarjet kulturore kanë një ndikim të shumëanshëm në ekonomi duke nxitur turizmin, duke krijuar vende pune, duke mbështetur bizneset lokale, duke kërkuar përmirësime të infrastrukturës dhe duke nxitur një mjedis shkëmbimi kulturor dhe inovacioni. Këto ngjarje kontribuojnë si në përfitime të menjëhershme ekonomike ashtu edhe në zhvillim ekonomik afatgjatë.

Vendi i vogël që priste në kohën e izolimit të tij nga bota 1 mijë turistë në vit, në 2023-shin priti 10 milionë turistë të huaj, që sollën për ekonominë tonë 4.2 miliardë euro.

Për këtë arsye, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka shpallur dhe thirrjen “Eja, Puno në Turizëm” në Zyrat e Punës dhe portalin e punësimit puna.gov.al drejtuar 3 mijë djemve dhe vajzave që aktualisht kanë zgjedhur të studiojnë në arsimin profesional degën hoteleri-

turizëm në 11 shkolla të dedikuara, si dhe mbi 200 mijë të rinjve që ndjekin arsimin e mesëm dhe të lartë, për të cilët turizmi është një mundësi e shkëlqyer e punësimit sezonal, e jo vetëm, por edhe të punësimit të qëndrueshëm.

Është fakt se bumi i përjetuar së fundmi ka tejkaluar çdo parashikim, përfshi edhe më optimistët prej tyre, prandaj ftesa drejtuar çdo të riu apo të reje për të punuar në turizëm nuk është më thjeshtë një ftesë emotive.

Në përmbyllje, jam i sigurt, që “Touristic Events Albania” i ka të gjithë mundësitë që të mbahet mend si qershia mbi tortën e turizmit shqiptar dhe ju garantoj se MEKI do ta mbështesë më tej këtë aplikacion përmes pasurimit të kalendarit kulturor dhe duke rritur mbështetjen për kulturën, artin, trashëgiminë, kulinarinë, etnografinë, folklorin e gjithçka tjetër që përveç natyrës dhe historisë na bën krenarë që jemi shqiptar.

Faleminderit