Ministry of Economy, Culture and Innovation

I nderuar Z.Kryeministër

Miq e të ftuar,

Zonja dhe zotërinj,

Sot jemi në një moment të rëndësishëm të një prej projekteve më interesante jo vetëm për kryeqytetin, por edhe për vendin. Expo Albania, do të jetë një hapësirë e dedikuar tërësisht e veçanërisht për promovimin, ekspozimin e pasqyrimin, si dhe organizimin e eventeve madhore në kryeqytet, ndaj sot jemi përpara një përgjegjësie shumë të madhe, të përzgjedhjes së projektit fitues, të një prej pikave kyçe të qytetit.

Ky event kaq i rëndësishëm sot, më sjell në kujtesë konkursin që realizuam 2 vite më parë për projektin e Auto Moto Park Albania në Elbasan, potencialin dhe rëndësinë e tijnë shumë fusha si ekonomi, kulturë, turizëm etj, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për rajonin, ndaj ndihem shumë i vlerësuar dhe i nderuar të jem një prej anëtarëve të jurisë.

Tirana ka përjetuar një rritje dhe transformim të jashtëzakonshëm gjatë 30 viteve të fundit. Me kalimin drejt një ekonomie të tregut të lirë, ka fituar, me hap të ngadaltë por të sigurt, një pozitë ekonomike solide dhe të diversifikuar falë karakteristikave të tij unike, si afërsia e tij me qendra të shumta rajonale dhe roli thelbësor që ai luan në disa zinxhirë të vlerës. Ka bërë hapa galopantë në sigurimin e zhvillimit afatgjatë, duke investuar fuqishëm në krijimin dhe konsolidimin e partneriteteve kyçe në tregje të konsoliduara dhe në një sërë industrish të reja dhe në

zhvillim e sipër, duke përfshirë teknologjinë e informacionit, inteligjencën artificiale, prodhimin industrial etj.

Ndaj, Expo Albania, si një qendër multifunksionale me të gjitha hapësirat e kushtet e nevojshme, do të plotësojë një mungesë të madhe që sot Tirana ka. Ky projekt do ta shndërrojë Tiranën në një destinacion lider në rajon për organizimin e evenimenteve të industrisë, panaireve tregtare dhe aktiviteteve të tjera të ngjashme, si rajonale ashtu edhe globale, me fokus kryesisht të rinjtë, duke i dhënë shtysë ekonomisë, njohurive dhe kapaciteteve novatore të qytetit dhe duke konsoliduar më tej rolin e tij në rajon si një destinacion dinamik.

Sigurisht pa lënë mënjanë edhe aspektin turistik. Expo Albania do të jetë një tjetër pikë turistike që do t’i shtohet qytetit, ku nuk do mungojnë as organizimet kulturore e artistike, duke përfshirë festivale të artit, ekspozita, panaire, koncerte apo edhe pavionet artistike dhe arkitekturore.

Shoqata Botërore e Industrisë së Ekspozitave raportoi që në vitin 2018 u zhvilluan rreth 32,000 ekspozita, të cilat tërhoqën 300 milion vizitorë dhe 5 milion ekspozitorë në 180 shtete. Impakti global ekonomik i sektorit ka gjeneruar rreth $325 miliardë të ardhura dhe $198 miliardë në kontribute ndaj PBB.

Vitin e kaluar, në Tiranë u organizua edicioni i dytë i Automotive Fair Albania, ku në 4 ditë tërhoqi kureshtjen e rreth 100,000 vizitorëve dhe 160,000 spekatorëve me llojshmërinë e eventeve motorsportive që ky panair ofroi për vendin, duke ndikuar në ekonomi nëpërmjet shitjes së automjeteve, promovimit të industrisë lokale të automobilizmit, si dhe

duke krijuar mundësi pune direkte dhe indirekte. Me Expo Albania, shumë shpejt do të kemi një medis të dedikuar për evente të tilla kaq të mëdha, e cila do të ofrojë mundësinë për t’i zhvilluar këto panaire në përmasa akoma më të mëdha, e si rrjedhojë duke sjellë një boom zhvillimi ekonomik për vendin.

Sot jemi për finalizmin e një tjetër faze të Expo Albania, ai i dorëzimit të projekt-ideve finale për ndërtimin e kësaj Qendre dhe jam i bindur se të gjitha kompanitë e përzgjedhura, me eksperiencën e tyre, do të na e vështirësojnë punën, por jam i sigurt se në përfundim do të arrijmë së bashku të përzgjedhim projektin më të përshtatshëm jo vetëm sa i takon pjesës arkitekturore, por edhe funksionale të tij.

Shumë faleminderit për vëmendjen.

Suksese të gjithëve.