Ministry of Economy, Culture and Innovation

Festivali femijet

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë realizon këtë vit edicionin 52. Krijuar në maj të vitit 1963 ky festival nuk i ka munguar asnjë vit fëmijëve, duke sjellë krijimet më të mira të autorëve më me emër të muzikës e teksteve të këngëve, duke zbuluar talente të cilët në vitet që pasojnë kanë shkëlqyer në skenat muzikore brenda e jashtë vendit. Përveç pasurimit të jetës kulturore të fëmijëve e fondit të këngëve për këtë grupmoshë, festivali ka shërbyer e vijon të japë kontribut të rëndësishëm në zbulimin e lançimin e talenteve të reja, si dhe në edukimin e shijeve e kulturimin e fëmijëve.

Prej vitit 1993 ky festival u kthye në mbarëkombëtar, duke u berë e para  dhe më e rëndësishmja skenë, ku fëmijët nga gjithë trevat shqipfolëse këndojnë e garojnë bashkë. Organizatorët e kësaj ngjarjeje kulturore janë: Bashkia Shkodër, Drejtoria Arsimore Rajonale, Qendra Kulturore e Fëmijëve, Shkodër, Radio Televizioni Shqiptar, Shoqata Shpirti Artistik i Shkodrës. Ky aktivitet organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Festivali do të mbahet në Shkodër, në sallën e Teatrit “Migjeni”, në datat 20,21,22 qershor 2014.{:}