Ministry of Economy, Culture and Innovation

Kur Shqipëria luhatej në nivele papunësie prej 16-17%, me mbi 30% për të rinjtë, si dhe njëra prej normave më të lartave në rajon, premtimi për të zbritur në një nivel papunësie njëshifror dukej ose imagjinatë e ekzagjeruar, ose një premtim bosh elektoral. Mes shumë treguesve dhe indikatorëve që nxjerrin zbuluar për mirë ose për keq punën e një qeverie, papunësia është shifra më kokëfortë, që flet vetë. Sinqerisht, nga hulumtimi im i thjeshtë, më rezulton se janë shumë të pakta vendet që në një dekadë pothuajse t’a kenë përgjysmuar këtë normë. Shqipëria, është sot vendi me papunësinë më të ulët në Ballkanin Perëndimor. Me një shifër që zbret në më pak se 8% për grupmoshën 30-64 vjeç, duke kapur nivelin e mesëm të vendeve të Bashkimit Europian, kemi të gjithë të drejtën të shohim me krenari çka është bërë. Nuk është momenti për të kënduar sukses, as për të hapur shampanjën, por është e qartë që një fetë të jashtëzakonshëm të suksesit të arritur e kanë reformat sektoriale, digjitalizimi, informalizimi dhe inovacioni.

Është një përvojë që unë e kam përjetuar dhe ndarë në vetë të parë në detyrën time si kreu i DPSHTRR, një institucion që mbase më shumë se kushdo ishte simbol i plasjes së buzës në radhë ndonjëherë kilometrike, përtej grisjes së xhepave. Dhe që sot, falë inovacionit dhe tranzicionit të shërbimeve të tij online është shndërruar në simbol të forcës dhe ndryshimit të jashtëzakonshëm që mund të bëjë inovacioni, duke rritur të ardhurat me 98%, rritur pagat me 94%, shtuar vendet e punës me 52% (me pandeminë e emergjencat nëpër këmbë) dhe rritur kapitalizimin e aseteve me 400%, brenda një 5-vjeçari! E kjo duke eliminuar gati 770 mijë ardhje në sportele, e duke i kursyer qytetarëve 440 mijë ditë pune kohë dhe plot 35 milionë euro, vetëm në vitin 2023! Procesi i Inovacionit, në përvojën shqiptarë është një proces i udhëhequr pikë së pari nga administrata, që me transferimin të mbi 95% të shërbimeve online, më shumë se një mijë shërbime në total, motivoi talente dhe udhëhoqi vendin drejt kalimit në epokën e shërbimeve online. Ky model suksesi është përhapur gjithmonë e më tej në sipërmarrjen private, duke krijuar një efekt orteku me një fuqi transformuese të pashembullt. Duke parë nga e ardhmja dhe për t’iu përgjigjur sot nevojave të së nesërmes, Qeveria Shqiptare ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2030 vizioni i së cilës

është “Punësim cilësor dhe aftësim gjatë të gjithë jetës për të gjithë”.

 

Objektivi kryesor i Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2023 – 2030 dhe plani i saj i veprimit është identifikimi dhe skicimi i politikave të duhura nxitëse të punësimit në vend nëpërmjet zhvillimit të aftësive dhe lidhjes më të mirë mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës për më shumë punësim, si edhe mundësimi i punësimit të denjë për gra dhe burra nëpërmjet zbatimit të politikave gjithëpërfshirëse të tregut të punës.

Kjo është një detyrë e vështirë, për një vend që deri dje prodhonte me mijëra juristë fiktivë, dhe nuk kishte ende shkolla për mekanikë, por një detyrë në të cilën ne po arrijmë rezultate gjithmone edhe më të rëndësishme. Politikat aktive të tregut të punës përfshijnë një gamë të gjerë programesh për nxirtjen e punësimit, të cilat mbështesin punëkërkuesit e papunë, për t’u përfshirë në tregun e punës. Reformimi i sistemit të arsimit dhe mbi të gjitha i sistemit të arsimit profesional ka gjithashtu një rol të jashtëzakonshëm në formimin e kësaj dinamike të suksesshme që kemi mundur të krijojmë. Por, fytyra e re e arsimit profesional është një fytyrë e një bashkëpunimi gjithmonë edhe më të ngushtë midis qeverisë

dhe sipërmarrjes, e cila ka, dhe në strategjinë tonë do të ketë një rol gjithmonë edhe më të rëndësishëm në:

a) Forcimin e rolit vendimmarrës të përfaqësuesve të sektorit privat në bordet drejtuese të ofruesëve publikë të AFP-së;

b) Formalizimin e strukturave të bashkëpunimit me bizneset për ofrimin e mësimit të bazuar në edukimin dual

c) Krijimin e grupimeve të bashkëpunimit të ofruesve të AFP-së me biznese pararojë në sektorë të caktuar të ekonomisë;

d) Ngritjen e kapaciteteve të bizneseve për zbatimin e mësimit të bazuar në punë e praktikë reale;

e) Ekspozimin dhe trajnimin në vendin e punës të mësimdhënësve të sistemit të AFP-së, si dhe;

f) Forcimin e njësive të zhvillimit brenda ofruesit të AFP-së për të ngritur bashkëpunimin me bizneset. Për të forcuar edhe më tej modelet ekzistuese të suksesit, si dhe për t’u rritur më tej në ambicje, mundësi dhe cilësi, MEKI dhe institucionet e tjera shqiptare janë të vendosur që të thellojnë më tej bashkëpunimin me donatorët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

Mes tyre Bashkimi Europian, GIZ, SDC, Ada, Koperacioni Italian, Kombet e Bashkuara, Zvicra në veçanti, etj. Zakonisht, në mbyllje të fjalës në një Forum të Inovacionit si ky, është e zakonshem të citohet Steve Jobs, Ekon Mask apo të tjerë inovatorë të njohur modernë. Por, unë dua të citoj një inovator pak të njohur, e megjithatë shumë të rëndësishëm për kohën e tij; një sipërmarrës francez që përpara se të themelonte konglomeratin e Danones u bë i famshëm për një autobiografi të quajtur “Të jesh me budallai i klasës”. “Inovacioni është një aleancë midis instiktit, imagjinatës, dijes dhe kurajos”, shkruante Antuan Ribo!

Dua ta mbyll me këtë shembull, sepse besoj se në tranzicionin shqiptar, shumë histori inovacioni mbetën të panjohura, mbase dhe të parealizuara, por, mbi të gjitha, dua ta mbyll me këtë citim sepse kjo aleancë mes imagjinës, dijes dhe kurajos, nëse zhvillohet përkrah aleancës shtet-sipërmarrje, merr me të vërtetë një fuqi të jashtëzakoshme për të djegur etapa e fituar kohë, e për të çuar Shqipërinë sa më shpejt në lartësinë e imagjinatës. Faleminderit