Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=3677]

Sot me rastin e Ditës së Pronësisë Intelektuale, Ministria e Kulturës organizon dhe është pjesëmarrëse në një sërë eventesh që kanë për qëllim të sensibilizojnë mbi mbrojtjen e të Drejtave të Autorit. Nën sloganin e përbashkët “Krijimtaria është pasuria ime. Ligji ma mbron” sot nisëm:

  • Një fushatë sensibilizuese në mediat televizive
  • Një stendë informuese në sheshin Skënderbej
  • Ishim pjesëmarrës dhe diskutantë në Konferencën “Reforma në sistemin e Pronësisë Intelektuale – Sfidë dhe angazhim për Integrimin Evropian si dhe zhvillimin ekonomik të vendit”

Agjencitë e Adminstrimit Kolektiv( AMP, ALBAUTOR, AKDIE, FMAA) mundësuan prodhimin e një spoti audiovisual me pjesëmarrjen e krijuesve dhe artisteve për sensibilizimin e publikut mbi rëndësinë dhe respektimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to. Agjencitë gjithashtu mbështetën dhe financuan prodhimin e materialeve promocionale të cilat u shpërndanë në aktivitetet e ditës së sotme.

Në këtë spot televiziv theksohet se:

“Ligji i ri i të Drejtës së Autorit mbron KRIJUESIN. E drejta e tij është garanci për krijimtari artistike.

Të gjithë bashkë të sigurojmë sot të ardhmen e muzikës, filmit, librit. Njihu me të Drejtat e Autorit dhe mendo për artistin sa herë ia përdor veprën”

Ministria e Kulturës ka hartuar ligjin nr. 35/2016 – “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera  të lidhura me to”,  i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 31 Mars 2016, i cili sjell këto risi:

•    Subjektet përdorues tashmë do të paguajnë një tarifë të vetme tek Sporteli unik, duke i sherbyer formalizimit të tregut intelektual.
•    Mundësi të reja përfitimi për autorët dhe fushë e zgjeruar e përdorimit të veprave për interesin publik.
•    Përafrimi i plotë me direktivat e BE-së, zbatimi i praktikave më të mira evropiane në territorin shqiptar.
•    Tarifa transparente, konkuruese për subjektet, jo arbitrare, çka ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në formalizimin e tregut.
•    Barra e provës, risi  për zgjidhjen e konflikteve në rastet e cënimit të të drejtave të autorit.
•    Orientime të thjeshta e të qarta për organin procedues, gjykatën dhe zgjidhjen e problematikave në lidhje me masat paraprake, sigurimin e provave dhe zgjidhjen efikase të rasteve gjyqësore.
•    Instrumente të qarta për shkeljet në Internet në kohë të shpejtë.
•    Ndëshkim i gjithanshëm për këdo që shkel këtë ligj.
•    Krijimi i Drejtorisë së të Drejtës së Autorit (DDA), një drejtori e dedikuar edukimi dhe politikash, shumë më efiçente në bashkëpunimin e saj me inspektoratin, organet e tjera dhe publikun, në rastet e cënimit të të drejtave.
•    Këshilli Kombëtar i  të Drejtës së Autorit, organ i ri i specializuar për vendosjen e tarifave të shpërblimit. I jep fund konfliktit permanent mes subjekteve përdorues dhe autorëve apo agjencive.
•    Skema të reja përfituese për botuesit dhe autorët për  riprodhimin personal dhe vetjak.
•    Skemat e reja të përfitimit nga importimi i makinerive dhe pajisjeve të tjera, ku fiksohet vepra, si dhe shpërndarjes dhe riprodhimit të autorizuar.
•    Nxitja e tregut për krijimin e agjencive të reja për administrimin kolektiv të të drejtave, sipas nenit 131 të këtij ligji.
•    Transparencë e shtuar në jetën e  agjencive gjatë shfrytëzimit të licencës së dhënë nga MK.
•    Kontrata të reja të parashikuara në këtë ligj, me parashikime të qarta në mbrojtje të interesave legjitime të palës më vulnerabël në marrëdhënien kontraktore. Konkretisht kontrata e botimit vjen e qartë në  këtë ligj.
•    Marrëdhënie të qarta midis autorit dhe punëdhënësit për veprat e krijuara gjate marrëdhënies së punës.

E drejta e autorit, si pjesë e qenësishme e kulturës dhe e trashëgimisë sonë  kombëtare, është dhe do të jetë në fokusin e Qeverisë Shqiptare dhe të Ministrisë së Kulturës, për të përmbushur misionin dhe objektivin e saj, si në plotësimin e angazhimeve që rrjedhin nga MSA-ja ashtu edhe interesat legjitimë të krijuesve dhe tregut intelektual shqiptar.

 {:}