Ministry of Economy, Culture and Innovation

Të nderuar miq, ambasadorë, përfaqësues shtetesh e organizatash, artistë e artdashës, autoritete, kolegë e bashkëpunëtorë!

Mirëse keni ardhur sot në çeljen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, që do të rrokin tërë vendin për 7 muaj rresht, deri në Nëntor, nisur nga Tirana, për të mbushur salla, Teatro e galeri arti, sheshe e agora qytetesh anembanë, sy e zemra komunitetesh, me programe të pasura aktivitetesh nga mbi 20 shtete! Kaleidoskop rrezesh e ngjyrash!

Nga nesër merr jetë Java e Europës, si rrënjë dhe perspektivë e jona, e para jo pa qëllim – e shtrirë në Gjirokastër, Shkodër e Tiranë!

Kalendari vijon me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarinë, Hollandën, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA-në, Kombet e Bashkuara, Austrinë, Spanjën, Malin e Zi, Meksikën dhe Kosovën! Fqinj apo miq të largët, në sofrën e dashur shqiptare, ditë e natë, si në shtëpinë tuaj!

Kodi ynë gjenetik na thotë se shtëpia jonë është njëkohësisht edhe e zotit, pavarësisht besimit; edhe e robit – e mikut, pavarësisht prejardhjes, racës dhe ngjyrës; ndaj Shqipëria i do, i promovon manifestimet ndërkulturore dhe e nxit diversitetin!

Jam i lumtur që Ministria e re e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka fatin të materializojë përmes Javëve Kulturore Ndërkombëtare mbështetjen e Qeverisë Shqiptare për një mision kaq fisnik sa kjo eksperiencë vëllazërimi mes kulturave e traditave të njerëzimit.

Një falenderim i veçantë i shkon Bashkisë së Tiranës dhe bashkive të tjera që na mikpresin dhe që angazhohemi sëbashku! Mirënjohje trupave diplomatik për investimin në këtë vlerë të shtuar në njohjen mes qytetërimeve tona dhe forcimin e miqësisë mes popujve tanë!