Ministry of Economy, Culture and Innovation

Së bashku me Kryeministrin Rama dhe përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve, në një takim të posaçëm mbi rrugën e bërë dhe sfidat për #Shqipëria2030 në Bashkimin Europian.

Për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mbetet prioritet zhvillimi i mëtejshëm i ekosistemit të inovacionit në vend, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë, për një mjedis sa më të qëndrueshëm dhe konkurrues. Forcimi i infrastrukturës ligjore dhe institucionale, mbështetja për sipërmarrjet inovative dhe përfshirja në rrjetet europiane janë shtyllat ku mbështetemi për ta çuar përpara këtë mision.

Nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse, me një strategji të qartë, një buxhet të dedikuar dhe një mekanizëm të vetëm monitorimi, mbetet thelbësore për të garantuar koherencë ndërinstitucionale dhe për t’i dhënë inovacionit vendin që i takon në zhvillimin e vendit. Në këtë kuadër, po finalizojmë ligjin bazë për inovacionin, i cili vendos rregulla të qarta për funksionimin e ekosistemit, ndërsa ligjet për byrotë e kreditit dhe për crowdfunding synojnë të lehtësojnë aksesin në financim për individët dhe bizneset, duke nxitur sipërmarrjen dhe transformimin teknologjik.