Ministry of Economy, Culture and Innovation

“Investo në Veri – Punë, Edukim dhe Karrierë”

Zonja dhe zotërinj, të nderuar të ftuar dhe kolegë pjesëmarrës, është nder të jem sot këtu si Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në Panairin “Investo në Veri – Punë, Edukim dhe Karrierë”. Ky panair sot, shërben si një platformë dhe udhërrëfyes i dedikuar për fuqizimin e individëve, nxitjen e rritjes dhe hapjen e rrugëve të reja drejt zhvillimit në rajonin verior të Shqipërisë.

Koha ka treguar se investimi në shërbime dhe programe për zhvillimin e punësimit, arsimit dhe formimit profesional ka një impakt të madh në rritjen e besimit të qytetarëve, veçanërisht të rinjve, për të ndërvepruar me këtë sfidë të rëndësishme të shoqërisë moderne. Në një kohë kur tregu i punës po evoluon me një ritëm të shpejtë dhe kërkesat për aftësi të reja po ndryshojnë, është e rëndësishme që sistemi ynë të jetë i përshtatshëm për të ofruar mundësi dhe përkrahje për të gjithë qytetarët, veçanërisht për ata në fillimin e rrugës së tyre profesionale, në mënyrë që askush të mos e ndjejë “detyrimin” e largimit nga vendi.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, nëpërmjet Agjensisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësimit, ka për detyrim të sigurojë përmbushjen e të drejtës për t’u trajtuar me shërbime dhe programe publike të punësimit, të vetëpunësimit dhe të kualifikimeve profesionale, me qëllim gjetjen e një pune të përshtatshme, brenda dhe jashtë vendit, si dhe ofrimin e këtyre shërbimeve.

Në rajonin e veriut, AKPA ka një shtrirje me:

· 2 Drejtori Rajonale Punësimi dhe 6 Zyra Vendore: Dibër, Mat, Bulqizë, Kukës, Has dhe Tropojë, ku gjatë viteve 2022-2023 janë punësuar apo kanë marrë pjesë në programet e nxitjes së punësimit mbi 3865 punëkërkues të papunë. Janë integruar në tregun e punës 1,554 përfitues të Ndihmës Ekonomike.

· 2 Shkolla të mesme Profesionale, me drejtime në Teknologji ushqimore, Shërbime sociale dhe shëndetësore, Ekonomi – Biznes, Teknologji Informacioni dhe komunikimi (TIK), Hoteleri-Turizëm, Gjeologji miniera,

· 1 Qendër e Formimit Profesional e Lëvizshme përgjegjese për rajonin verilidor;

nëpërmjet të cilave kanë marrë pjesë në kurset e formimit professional 1260 punëkërkues të papunë në Rajonet Dibër dhe Kukës. Për herë të parë në 2023, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive zbatoi programin e kodimit, nëpërmjet të cilit lidhën marrëveshjet për zhvillimin e kurseve 1,285 persona. Edhe në Dibër u hap kursi “Java” për 15 të rinj që ndoqën kursin në qytetin e tyre.

Pra, programe të tilla si trajnimi dhe praktikat në vendin e punës, mbështetja për të rinjtë që kanë nevojë për shkollim të vazhdueshëm ose për të fituar aftësi të reja, dhe shërbimet e këshillimit për karrierën janë instrumente thelbësore për të ndihmuar në rritjen e vetëbesimit dhe gatishmërisë për të përballuar sfidat e zhvillimit personal dhe profesional dhe për më tepër për të nxitur punësimin në vendin ku ata jetojnë.

Në kuadër të nismave të qeverisë, përfshirjes në nisma të mëdha të mbështetura nga BE si dhe angazhimit institucional të AKPAs:

Po zbatojmë programin më të madh për të rinjtë të mbështetur nga BE, atë të Garancisë Rinore;

Po zbatojmë programin e kodimit, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe aftësive digjitale kryesisht tek të rinjtë;

Po zbatojmë programet e nxitjes së punësimit, si mbështetje për të gjithë grupet që kanë veshtirësi për tu integruar në tregun e punës;

Kemi ndërtuar Portalin puna.gov.al si porta e informacionit dhe ndërveprimit midis punëdhënësve dhe punëkërkuesve;

Kemi digjitalizuar dhe modernizuar shërbimet online për punëdhënësit dhe punëkërkuesit;

Kemi rikonstruktuar dhe ndërtuar Zyra të Reja pune me qëllim rritjen e cilësisë dhe standartit të shërbimeve.

Të gjitha sa më sipër, kjo përqasje e përkushtimit në fuqizimin e qytetarëve, sidomos të rinjve, për të përballuar dinamikat e tregut të punës dhe për të arritur sukses në karrierë, jo vetëm që sjell përfitime

individuale, por gjithashtu kontribuon në rritjen e produktivitetit të shoqërisë në tërësi. Kur qytetarët ndjehen të përgatitur dhe besojnë në aftësitë e tyre, ata janë më të gatshëm për të eksploruar mundësitë, për të ndikuar në zhvillimin e komunitetit dhe për të ndjekur qëllimet e tyre me bindje dhe guxim.

Nëpërmjet bashkëpunimit dhe vendosmërisë, ne mund të nxjerrim në pah potencialin e plotë të këtij rajoni, duke siguruar një të ardhme më të ndritshme për të gjithë banorët.