Ministry of Economy, Culture and Innovation

E nderuar Znj. Ibrahimaj

E nderuar Znj. Ambasadore

E Nderuar Znj. Alleman

E nderuar Znj Solis dhe Z. Shala

 

Ju faleminderit për ftesën.

Është një kënaqësi e veçantë të flas sot para jush për një nga fushat më dinamike dhe premtuese për zhvillimin ekonomik të vendit tonë – startupet.

Aktualisht, në Shqipëri kemi arritur shifrat më të ulta historike për papunësinë dhe papunësinë e të rinjve.

Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes ekonomike të qëndrueshme, por edhe i inovacionit apo rritjes së hapësirave për të rinjtë për t’u vetpunësuar përmes një start-upi.

Gjithashtu, MEKI ka hartuar një numër programesh dhe mekanizmash që lehtësojnë hapjen e një sipërmarrje të re, veçanërisht për të rinjtë.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, sot më shumë se kurrë, startupet kanë nevojë për një mbështetje të mirëstrukturuar dhe efektive për të transformuar idetë inovative në produkte dhe shërbime konkurruese në tregun ndërkombëtar. Në këtë kontekst, rëndësia e pronësisë intelektuale bëhet thelbësore.

MEKI ka qenë dhe mbetet një partner kyç në përkrahjen e të rinjve dhe ndërmarrjeve të reja, duke i orientuar ata drejt mbrojtjes së inovacionit dhe krijimeve të tyre.

Në bashkëpunim me projektin ALSIP dhe veçanërisht me komponentin IP4Startup, kemi mundësuar mbështetje specifike për startupet shqiptare, duke ofruar trajnime, asistencë ligjore dhe këshillim mbi mënyrën se si mund të mbrojnë dhe shfrytëzojnë pronësinë e tyre intelektuale dhe industriale.

ALSIP, përmes IP4Startup, implementuar nga ICTsLAb është një projekt i cili jo vetëm që sjell ekspertizë ndërkombëtare në vendin tonë, por gjithashtu e integron Shqipërinë në standardet më të larta evropiane dhe globale për pronësinë intelektuale.

Kjo mbështetje është vendimtare, pasi ajo i jep mundësinë startup-eve tona jo vetëm të mbrojnë inovacionet e tyre, por edhe të konkurrojnë në mënyrë të barabartë në tregjet ndërkombëtare.

Gjej rastin të falenderoj qeverinë zviceriane për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë qeverisë shqiptare në shumë reforma të rëndësishme për vendin tonë.

Nga ana tjetër, dëshiroj të theksoj se IP4Startups është një program përshpejtimi i përshtatur për nevojat specifike të startupeve inovative.

Nëpërmjet programit, 10 pjesëmarrës të përzgjedhur (nga 23 aplikime) aksesuan një sërë burimesh dhe mekanizmash mbështetës që synojnë të përmirësojnë të kuptuarit e tyre për pronësinë intelektuale, të zbatojnë strategji efektive të IP-së dhe të përdorin inovacionet e tyre për rritje të qëndrueshme.

Programi u ofron startup-eve seminare mbi udhëzuesin e fillimit të IP-së, regjistrimin e markës tregtare, krijimin e një portofoli patentash, markën, etiketimin promovues, fushatën e marketingut dhe reklamat, përfitimet ekonomike nga përforcimet, kontratat e punës, licencimin, sekretet tregtare, etj.

Çdo startup mori një diagnostikim të personalizuar të IP të ËIPO-së (Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale) dhe një raport të personalizuar nga DPPI (Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale) që përshkruan asetet e tyre të pronësisë intelektuale dhe strategjinë e markës.

Për më tepër, pjesëmarrësit përfitojnë nga mbështetja e përshtatur e markës ose riemërtimit, seancat e dedikuara mentorimi me ekspertë dhe ndihma për regjistrimin e markës tregtare falas. Programi ofron gjithashtu mundësi të vlefshme rrjetëzimi.

Startupet tona po përballen me sfida të shumta në tregun global, dhe për t’i kaluar këto pengesa, mbrojtja e aseteve intelektuale është një hap i domosdoshëm.

Ato janë çelësi për të krijuar një ekosistem ku inovacioni shpërblehet dhe investimet të jenë të sigurta.

Për këtë arsye, roli i MEKI-t, përmes DPPI-së në ofrimin e një sistemi efikas të regjistrimit dhe mbrojtjes së pronësisë industriale është një gur themeli për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre sipërmarrjeve.

Përmes këtij bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet DPPI-së dhe projekteve si ALSIP, ne po krijojmë një mjedis ku startupet kanë mundësi të rriten dhe të lulëzojnë, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe inovacionin e vendit tonë.

Ne besojmë fort se Shqipëria ka potencialin për të qenë një qendër inovacioni në rajon dhe për këtë, mbështetja juaj dhe politika proaktive janë kyçe.

Dua të mbyll duke theksuar një fakt: Shqipëria është e para në Ballkanin Perëndimor për inovacionin dhe dixhitalizimin e sistemeve tona shtetërore.

Kemi 1.300 shërbime që ofrohen online dhe kjo ka bërë një ndryshim të jashtëzakonshëm për qytetarin dhe biznesin.

Por, duhet të bëjmë ende më shumë për të thelluar dixhitalizimin dhe inovacionin e ekonomisë sonë.

Një nga mënyra më të mira për të bërë pikërisht këtë është  duke forcuar më tej start-up tona dhe duke i lejuar ato që të konkurrojnë si të barabarta, pa asnjë handikap, në tregjet ndërkombëtare.

Faleminderit