Ministry of Economy, Culture and Innovation

Ali Pashë Tepena, të cilit nuk i mungonte asgjë në oborrin e vet, do ta kishte pasur zili një pipë të gdhendur nga duart e mjeshtrit Isuf Skënderi. Në murin e ballkonit, nën pjergullën e rrushit, ku më së shumti i pëlqen të punojë i qetë, ka fiksuar pikërisht një pipë një metër e 5 centimetra..
Isuf Skënderi i takon brezit të tretë të mjeshtërve të gdhendjes së pipave e llullave, e ndoshta i vetmi në Shqipëri, që punon me të njëjtat mjete, ashtu si edhe babai e gjyshi i tij, që dikur kishin një dyqan mjaft të njohur në Pazarin e vjetër të Tiranës.

“Me prishjen e pazarit dhe zhdukjen e punës private, të gjithë zanatçinjtë i mblodhën te Ndërmarrja Artistike “Migjeni”. Unë kam pasur profesion tjetër. Për 23 vjet kam dhënë teknologji prodhimi këpuce në shkollën profesionale, e vetmja në Shqipëri, Shkolla e Ekonomisë Komunale. Me ndërrimin e sistemeve dhe lejimin e punës private, nisa të merrem me zanatin e të parëve të mi, sidomos pas vitit 2002, kur me reformat e kohës u shkatërrua arsimi profesional. U largova dhe iu përkushtova këtij profesioni”, tregon Isufi për “Sekrete mjeshtërie”.

Është i kënaqur që profesionin ia ka trashëguar edhe fëmijëve dhe mes një albumi fotografish shkëput njërën, ku kanë dalë gjyshi me nipin 6-vjeçar, teksa i mëson si përdoret trapani. Ndërsa në një tjetër është e bija, që po ashtu ka mësuar zanatin.  Vëçse ai i ka lënë të lirë të zgjedhin rrugën e tyre.

Ai prodhon kryesisht objekte që lidhen me përdorimin e duhanit: pipa, llulla, cingarishte, mbajtëse llullash, por kjo nuk do të thotë se nxit duhanpirjen.
“Të pirët e duhanit është ves dhe unë përpiqem ta mbroj duhanpirësin. Druri ka veti të ftohë tymin e të mos djegë laringun, ndërkohë që një pjesë e mirë e nikotinës mbetet këtu. Por nga ana tjetër mbron edhe gishtat”, thotë Isufi.
I gjithë procesi i realizimit të një pipe është manual, që nga tornimi, hapja e vrimave, tharja, lyerja me bojëra natyrale dhe gdhendja. Objektet e prodhuara për treg, kryesisht mbajnë sipër markën “Albania”, por ai mund të realizojë edhe të personalizuara me emra, iniciale, emra shtetesh e bojëra sipas dëshirës.

Një nga sekretet e zanatit është materiali, por edhe përgatitja e thikave të gdhendjes. Zakonisht përdoret druri i shqopës. “Druri duhet të jetë sa më i fortë, me strukturë të ngjeshur, ndaj përdorim shqopën, panjën. Plepi është i papërdorshëm, po ashtu edhe ahu, shkoza, mareja. Struktura e tyre nuk të krijon mundësinë të krijosh gdhendje të bukura dhe shformohet”, thotë mjeshtri, që pedagogjinë e ka në gjak dhe kur të shpjegon një proces, duket sikur po të jep një leksion.
Me xhamadin e kuq të zonës së Tiranës, me këmishën e bardhë dhe cigaren në buzë, ai nuk përton të tregojë ca sekrete të zanatit. “Puna nuk më lodh”, thotë ai, por ka ca të tjera gjëra që e lodhin, siç janë respektimi i rregullave të tregtisë, krijimi i hapësirave dhe lehtësirave për ruajtjen e zanatit. Falë duarve të tij ai ka arritur të shkollojë fëmijët, t’i krijojë vetes një jetesë të mirë, të marrë pjesë në panaire jo vetëm në Shqipëri, por deri në Teheran, por sot ndihet i lodhur duke bërë tregtarin e mallit që prodhon. E lodh ideja e çantës në krah dhe trokitja nëpër dyqanet e suvenirëve. “Kjo është punë e politikave. Unë di të bëj këtë që di, politikanët le të bejnë politikën”, thotë Isufi, teksa vazhdon të gdhendë nën hijen e pjergullës.

{:}