Ministry of Economy, Culture and Innovation

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Ministren e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro. Në rend të ditës ishte trajtimi i çështjeve si : politikat e Ministrisë së Kulturës në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, menaxhimi i trashëgimisë kulturore si bazë për turizmin kulturor, përmirësimet e nevojshme në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore” dhe pika të tjera.

Në prezantimin e dëgjesës së parë për deputetët anëtarë të komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, zonja ministre e Kulturës vuri theksin tek prioritetet dhe objektivat që kjo ministri e dedikuar do të promovojë për mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore. Duke e cilësuar trashëgiminë kulturore si tejet të pasur dhe si aset i jashtëzakonshëm i kulturës sonë kombëtare e më gjerë, ministrja Kumbaro theksoi se, reforma në trashëgiminë kulturore do të përfshijë disa dimensione si aspekti ekonomik, teknik, ligjor dhe administrativ. Zonja Kumbaro shpjegoi në hollësi strategjinë për rivitalizimin dhe rritjen cilësore të mbrojtjes dhe promovimit të objekteve të trashëgimisë. Ajo theksoi ndër të tjera se, do të ketë rishikim të thellë të strukturave të drejtorive rrajonale, me synim rritjen e numrit dhe punës së ekspertëve që do të punojnë në terren për mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore.

 

Para  komisionit, ministrja e Kulturës vuri në dukje masat thelbësore për frenimin e të keqes, sikurse cilësoi ajo, prishjen dhe abuzimin me objektet e trashëgimisë, me hartimin e moratoriumeve që ndalojnë ndërtimet në qytetet e shpallura zona të mbrojtura si, Gjirokastra, Kruja dhe Berati, prishja e ndërtimeve pa leje brenda parqeve arkeologjikë etj.

 

Për deputetët e komisionit të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik, ministrja e Kulturës shpjegoi ndër të tjera qasjet e reja të politikave kulturore-artistike, të cilat i cilësoi si platforma kreative për rivitalizimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë artistike dhe kulturore të vendit.

Në vijim të pyetjes që u bë nga deputetët e Komisionit per Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, për objektet e ekspozuara në Kosove, Ministrja Kumbaro vuri në dukje se ishte shkelur ligji nga ana e institucioneve shqiptare në organizimin e ekspozitës “Thesare të kulturës shqiptare” në Prishtinë. Më konkretisht ajo çka Ministrja Kumbaro deklaroi ishte:

– zgjatja e kontratës së qëndrimit të objekteve në Kosovë përtej datës së parashikuar (20.08.2013), u bë pa VKM, çka është shkelje e hapur e kërkesave të ligjit për Trashëgiminë në rast të nxjerrjes nga Republika e Shqipërisë të objekteve të rëndësisë së veçantë;

– nxjerrja e 260 artefakteve u bë pa asnjë policë sigurimi, kusht i detyrueshëm për çdo udhëtim të tillë, çka duhej të ishte marrë përsipër nga titullarët e institucioneve përgjegjëse shqiptare;

– kishte pasaktësi në listën që iu bashkangjit VKM-së fillestare që mundësoi lëvizjen e artefakteve të destinuara për ekspozitën në fjalë. Kjo listë nuk përputhej me listën reale të objekteve që u transportuan.

Nga ana tjetër Ministrja Kumbaro vlerësoi kontributin dhe bashkëpunimin efikas të Ministrisë së Kulturës së Kosovës dhe të vetë Ministrit  Krasniqi për organizimin e ekspozitës si dhe për sigurimin fizik gjatë qëndrimit dhe përcjelljes së objekteve në territorin e Kosovës.

Objektet që u ekspozuan në Kosovë, u kthyen të gjitha ne destinacionet e tyre në Shqipëri në datat 15-17 tetor 2013.

Më tej deputetët e mazhorancës dhe të opozitës drejtuan pyetje dhe morën përgjigje nga ministrja e Kulturës lidhur me ndryshimet në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore” dhe legjislacionit për kulturën në tërësi, reforma në administratën respektive, problemet e koleksioneve të veprave të ndryshme të artit dhe trashëgimisë kulturore, gjendja dhe problematikat e muzeve dhe parqeve arkeologjike, etj.{:}