Ministry of Economy, Culture and Innovation

Vendim i Jurisë 

për propozimet e paraqitura në kuadër të Thirrjes së Ministrisë së Kulturës ‘Konkurs për emrin dhe logon e këndit “Souvenir, Art & Libër”’

 

Në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Kulturës nr. 492 datë 29.08.2019, “Për miratimin e kritereve për shpallje të thirrjes “Konkurs për emrin dhe logon e këndit “suvenire, art & libër” dhe çështje të tjera të lidhur me të”;

Në kuadër të Thirrjes së Hapur për propozime për “Konkurs për emrin dhe logon e këndit “suvenire, art & libër”, i publikuar në faqen zyrtare web të Minsitrisë së Kulturës nga data 2.09.2019 deri më datë 30.09.2019, pas shqyrtimit të tetë (8) propozimeve të paraqitura;

Bazuar në kriteret e shpallura në thirrjen e hapur për propozime për “Konkurs për emrin dhe logon e këndit “suvenire, art & libër”, Juria konstaton se propozimet e paraqitura:

–     nuk identifikojnë lehtësisht qëllimin dhe mesazhin që duhet të përçojë marka “suvenire, art & libër”.

–     nuk përfaqësojnë krijime origjinale në përmbajtje dhe formë.​

Përsa më lart, duke qenë se asnjë nga propozimet e paraqitura nuk i plotëson kriteret e vlerësimit Juria vendosi të mos kualifikojë asnjë nga propozimet e paraqitura.

 

 

  1. PËRSHKRIM I PËRGJITHSHËM

 

  • Çfarë është Këndi “Suvenire, Art & Libër”

Këndi “Suvenire, Art & Libër” është një hapësirë pranë mjediseve në administrim të Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve të saj të varësisë që krijohet apo futet në funksion me qëllim tregtimin e suvenireve dhe librave.

Ngritja e Këndit “Suvenire, Art & Libër”, vjen si rrjedhojë e nevojës së ekspozimit dhe promovimit të vlerave përfaqësuese të trashëgimisë kulturore, nxitjes së veprimtarisë cilësore zejtare, ofrimit të produkteve cilësore dhe përfaqësuese të artit dhe traditës kombëtare, si dhe rregullimin e procesit të riprodhimit të produkteve përfaqësuese për t’u tregtuar në këto qendra.

Këndi “Suvenire, Art & Libër” do të shërbej për të promovuar vlerat e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, përmes miradministrimit të hapësirave në dispozicion duke krijuar mundësinë për rritjen e kapaciteteve dhe gamës së shërbimeve të ofruara në institucionet e artit dhe trashëgimisë.

  • Qëllimi i konkursit

Qëllimi i konkursit është ndryshimi i emërtimit nga Këndi “Suvenire, Art & Libër” në një emërtim të ri dhe dizajni i logos për propozimin e ri si emblemë identifikuese për hapësirat ku tregtohen produktet dhe objektet me elementë të vlerave përfaqësuese të trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe libra që trajtojnë temën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Logo do të përdoret në materiale promovuese, tregëtuese, publikime, ngjarje dhe dokumente zyrtare.

  • Objekt i konkursit
  1. Objekti i konkursit është ndërtimi /dizajni i shenjës dalluese (LOGO), që nënkupton zgjedhjen vizuale të shenjës identifikuese duke qenë unike, lehtësisht e identifikueshme, si dhe përfaqësuese e konceptit për hapësirën ‘Këndi “Suvenire, Art & Libër”’.
  2. Të drejtën e shprehjes së interesit e kanë të gjithë personat fizik apo juridik, në nivel kombëtar që plotësojnë kriteret e parashikuara.

 

  1. MËNYRA E APLIKIMIT DHE DOKUMENTET SHOQËRUESE

Aplikimi në konkurs bëhet duke dorëzuar dosjen me dokumente shoqëruese si vijon:

2.1. Formularin për Aplikim: Konkurs për koncept idenë për emrin e ri dhe dizajn të logos për hapësirat ‘Këndet Suvenire, Art & Libër’ me të gjitha informacionet e plotësuara.

2.2. Koncept idenë për zgjedhjen vizuale të logos dhe rregullat e përdorimit në përputhje me rregullat e përcaktuara, si në vijim:

  • Relacioni shpjegues i konceptit të dizajnit të logos;
  • Dizajni i logos, i shoqëruar edhe me shkrimin “Suvenire, Art & Libër,” paraqitur në sfond të bardhë, të zi dhe me ngjyrë;
  • Rregullat e përdorimit të logos:
  • në dimensione, pozicionim, font, paleta e ngjyrave, etj.
  • në elemente të ndryshëm si: kartëvizita, kartolina, poster, bllok shënimesh, shënjues libri, çanta, stilolaps, fletëpalosje, guida turistike, etj.
  • Përdorimi i logos në ambalazh të formateve të ndryshme për produktet dhe objektet e tregtueshme.
    • Biografia dhe referencat vizuale të punëve paraprake të subjektit konkurrues.

Dosja për aplikim të titullohet sipas formatit Emër_Mbiemër. Dosja duhet të jetë në format digjital në PDF.  Formati digjital nuk duhet të tejkalojë limitin prej 5MB për dosje.

Dosja e plotësuar dorëzohet në me email në adresën info@kultura.gov.al ose përmes postës në adresën e Ministrisë së Kulturës brenda datës së përcaktuar në afatin përmbyllës të konkursit.

Formulari për Aplikim mund të shkarkohet KËTU

 

  1. KRITERET E VLERËSIMI TË DOSJES

Vlerësimi i dosjeve bëhet nga Juria e konkursit bazuar në kriteret formale dhe konceptuale për vlerësimin e dosjes.

3.1. Kriteret formale sigurojnë që dosja është kompletuar me materialet e kërkuara sipas kapitullit 2. Mënyra e aplikimit dhe dokumentet shoqëruese

3.2 Kriteret konceptuale vlerësojnë nëse:

– Logo identifikon lehtësisht qëllimin dhe mesazhin që përçon marka;

– Logo është e lexueshme dhe e përshtatshme në formate të ndryshme;

– Logo është unike dhe e dallueshme.

  1. JURIA DHE PROCEDURA E VLERËSIMIT

Vlerësimi i dosjeve bëhet nga Juria e konkursit në përbërje prej pesë anëtarëve. Procesi i vlerësimit zhvillohet në dy faza.

Faza e parë zgjat 10 ditë nga përmbyllja e afatit të aplikimit. Gjatë kësaj periudhe juria bën përzgjedhjen e propozimeve më të mira. Aplikantët e përzgjedhur ftohen të mbajnë prezantimin publik të projekt idesë.

Faza e dytë finalizohet në ditën e mbajtjes së prezantimit publik të projekt ideve të konkurrentëve.

Vlerësimi përmbyllet me përzgjedhjen finale të fituesit.

  1. AFATET E KONKURSIT

Afati për aplikim është i hapur që nga data  02.09.2019 deri më 30.09.2019, ora 24:00.

  1. RASTET E MOSPRANIMIT TE APLIKIMIT

Aplikimi nuk do të pranohet në rastet kur:

– DOSJA PËR APLIKIM nuk është plotësuar konform përmbajtjes së përcaktuar në Kapitullin 2.

– Dosja nuk është dorëzuar brenda afateve të përcaktuar në kapitullin 2 këtu;

  1. SHPALLJA E FITUESIT

Prezantimi i propozimeve të aplikuesve para jurisë dhe shpallja e fituesit bëhet më 10.10.2019. Fituesi do të vlerësohet me çmimin prej 100,000 (njëqind mijë) lekë.

  1. DORËZIMI I LOGOS

Fituesi i konkursit është i detyruar të dorëzojë Logo në formatet: EPS, PDF, JPG, TIFF dhe PNG – pa prapavijë dhe në paraqitje të bardhë, të zezë dhe me ngjyra. Duhet dorëzuar fonti i përdorur dhe paleta e ngjyrave me kodet përkatëse.

Pjesëmarrësit e konkursit bien dakord që propozimet e tyre mund të publikohen nga Ministria e Kulturës pasi rezultati i konkursit të bëhet i ditur.

E drejta e pronësisë mbi logon fituese i transferohet Ministrisë së Kulturës pas likuidimit të shumës së vendosur për fituesin. Ministria e Kulturës mund ta përdorë të drejtën e pronësisë mbi logon fituese vetëm për qëllime që janë objekt i këtij konkursi.

  1. DISPOZITA TË FUNDIT

Rezultatet e konkursit dhe vendimi i tij do të publikohen në faqen e internetit të Ministrisë së Kulturës.

Një raport përfundimtar i jurisë së konkursit do t’i dorëzohet të gjithë pjesëmarrësve të konkursit.

Me pjesëmarrjen në këtë konkurs, konsiderohet se secili pjesëmarrës ka rënë dakord për të drejtat e lartpërmendura të pronësisë.

 {:}