Ministry of Economy, Culture and Innovation

Jam i lumtur të jem këtu ditën e sotme, për të mbështetur një mekanizëm si Koorporata Shqiptare e Investimeve (AIC).

Koorporata, me të gjithë atë që po bën, është pa diskutim një aleate e drejtëpërdrejtë e MEKI-t në përpjekjet tona për të nxitur një zhvillim sa më të gjerë, gjithpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

AIC është një instrument i transformimit cilësor të manaxhimit të pronës publike, duke krijuar vatra të reja zhvillimi në zona ku ky zhvillim mungon apo mbi troje dhe godina të braktisura apo vjetëruara.

AIC është gjithashtu një instrument i transformimit të marrëdhënies së qytetarit me qytetin, me hapësirën urbane, me administratën, me modernen, me inovacion apo estetikën dhe funksionalitetin në ndërtim.

Portofoli i projekteve që do të prezantohen ditën e sotme është pjesë e pandashme e vizionit të qeverisë sonë për Shqipërinë 2030.

Ekspo Albania, qendra më e madhe e panairëve dhe ekspozitave në Ballkan është pa dyshim diamanti më i çmuar në kurorën e investimeve që do të realizohen.

Ky është një projekt i një prej studiove më të mëdha të arkitekturës sot në botë, Holl Architects dhe u përzgjodh pas një gare ndërkombëtare në të cilën morën pjesë më shumë se 50 studio nga e gjithë bota.

Holl është një studio e bërë e famshme përmes veprave të saj të shumta në SHBA, Japoni, Kinë, Francë, Holandë, Austri, etj.

Me ndërtimin e saj, kjo qendër multifunksionale do ta vendosë Shqipërinë në hartën globale të një prej industrive me rritjen më të shpejtë në botë, atë të panaireve dhe ekspozitave.

Sot, me rreth 35 mijë formate dhe evente të ndryshme në gjithë botën, vlera e kësaj industrie llogaritet në mbi 30 miliardë euro, si dhe vijon të rritet me shpejtësi, 3-fish më shumë krahasuar me 5 vjet më parë.

Krijimi i këtij poli të ri zhvillimi për qytetin, në Farkë, do të shërbejë për të transformuar të gjithë zonën, si dhe do të nxisë më shumë punësim në të gjithë territorin e kryeqytetit.

Me hotelet, muzeumet, sallat e kongreseve dhe hapësirat për ekspozita, ky projekt do të jetë ndër projektet më të mëdha të zbatuara ndonjëherë në historinë e Shqipërisë.

Jam i sigurt që transformimi që do të sjellë për të gjithë zonën do të jetë i ngjashëm me transformimin e ndodhur më herët tek zona e Stadiumit Kombëtar apo Pazarit, ku zona të amortizuara u kthyen në epiqendra të jetës sociale dhe ekonomike të Tiranës.

Madje Ekspo, i ka mundësitë që si histori suksesi t’i tejkalojë pa frikë këto shembuj.

Projekti tjetër, ai i Parkut “Durana”, është një vizion jashtëzakonisht ambicioz, që do t’i krijojë kushtet Shqipërisë për t’u shndërruar në një lider të teknologjisë së komunikimit, informacionit dhe teknologjisë së lartë në rajon.

Ky është një projekt i mbështetur direkt nga MEKI, që më herët në mars propozoi me sukses kalimin e 140 mijë metrave katror truall në Xhafzotaj në pronësi të Koorporatës për zhvillimin e këtij projekti madhor.

 

Gjithashtu projektet e tjera shumë ambicioze të AIC, mes tyre edhe megaprojekti për t’i dhënë një shtëpi të re, dinjitoze dhe në përputhje me nevojat e kohës 22 institucioneve dhe mbi 10 mijë punonjësve të administratës, gëzojnë mbështetjen direkte të Ministrisë sonë.

Theksoj se që në krye të herës, MEKI ka qenë dhe mbetet një prej përkrahësve dhe sponsorve kryesore të Korporatës.

MEKI ka mbështetur aktivisht rritjen e portolit të aseteve, duke u bërë nismëtar i transferimit të 28 pronave dhe trojeve shtetërore për zhvillimin, investimin apo manaxhimin nga ana e Koorporatës.

Do të vijojmë të mbështesim transformimin e këtyre objekteve apo zonave, të braktisura apo të pazhvilluara, në qendra të jashtëzakonshme zhvillimi përmes modelit të partneritetit publik-privat.

Si dhe do të vijojmë të mbështesim përzgjedhjen e partnerëve më të përshtatshëm, përmes garave apo ankandeve publike ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, është rasti për të theksuar trendin pozitiv të ekonomisë shqiptare: Viti 2024 është një vit në të cilin të gjithë treguesit tanë ekonomikë tregojnë rritje.
Vetëm dy ditë më parë, në Konferencën për prezantimin e Strategjisë së re për Turizmin 2024-30 u konfirmua shifra e pothuajse 10 milionë turistëve deri tani në Shqipëri.

Rekordi i vjetshëm është barazuar që në muajin shtator dhe në tre muajt e fundit të vitit do të vendosim një rekord të ri, me gjasë me 12-13 milionë turistë në 2024-n.

Rritja ekonomike është duke u përshpejtuar. Papunësia,  me 10.7% është në minimumet e saj historike.

Ndërsa investimet e huaja direkte kanë shënuar një tjetër rekord, duke u ngjitur në 750 milionë euro në 6-mujorin e parë të këtij viti.

Kjo është një shifër pothuajse 100 milionë euro më e lartë krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2023, një vit që rezultoi deri në fund në volumin më të lartë të investimeve të huaja ndonjëherë, me 1.5 miliardë euro.

Gjithashtu, kemi punuar me sukses drejt përmirësimit të mëtejshëm të klimës së biznesit.

Ngritja e Ekspos, Parkut Teknologjik dhe konkretizimi i të gjithë projekteve të tjera të Koorporatës do të ndihmojë për të konsoliduar më tej trendin pozitiv të ekonomisë sonë.

Këto vepra do të nxisin investimet e huaja, punësimin, inovacionin dhe do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve publike ndaj qytetarit.

Gjithashtu, do të shndërrojnë Tiranën e së bashku me të Shqipërinë, në shtëpi të projekteve më avantgartë të studiove më të mëdha të arkitekturës në botë.

Për të gjitha këto arsye, aleanca jonë me Koorporatën është një aleancë strategjike, afatgjatë, mbi bazën e të cilës qëndron i njëjti vizion për një Shqipëri 2030 të zhvilluar dhe në gjendje për të ofruar shumë më tepër mundësi për të gjithë qytetarët e saj.