Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=7786]

Më datë 20 mars 2014, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme u kremtua Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë, nën patronazhin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Z. Ditmir Bushati dhe me praninë e mjaft personaliteteve frankofone shqiptare dhe të huaja, si dhe të trupit diplomatik.

Të pranishmit i përshëndeti Ministrja e Kulturës Znj. Mirela Kumbaro, e cila nënvizoi rëndësinë që ka Frankofonia për Shqipërinë, si një pasuri kulturore e përbashkët me shumë vende e popuj të botës dhe si instancë vlerash të përbashkëta. Ajo ftoi të gjithë frankofonët e Shqipërisë të rrisin angazhimin e tyre të përditshëm në kuadër të Frankofonisë, në të gjitha fushat e kompetencës së saj, si dhe shprehu kënaqësinë dhe vendosmërinë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin në kuadër të projekteve të ndryshme. Në fjalën e saj ajo u shpreh mes të tjerash se : “ Unë jam ndër ato që besojnë se përtej teknikës, ekonomisë dhe politikës, është kultura ajo që garanton pavdekësinë e identitetit Frankofon, ashtu siç garanton shumë vlera të tjera të qëndrueshme. Ky është një debat i natyrshëm i Frankofonisë, meqenëse pohimi i larmisë kulturore dhe gjuhësore është themelore për të, dhe kjo larmi është një reflektim i identitetit të saj. Ajo gjithashtu mund të jetë një mjet i përkryer komunikimi mes vendeve, çka i lehtëson kontaktet dhe marrëdhëniet mes tyre. Ka ende kohë për të shtuar programet e përbashkëta për të njohur më mirë njëri-tjetrin, për të njohur më mirë edhe kulturat dhe letërsitë e vendeve tona. Përdorimi i mjeteve të ndryshme të shprehjes artistike si filmi, piktura, fotografia, duke shfrytëzuar sa më shumë teknologjitë e reja, shkon në këtë drejtim”.

Gjatë kësaj ceremonie u shpërndanë edhe “Diploma Nderi” për personalitetet më të shquara frankofone të vitit 2014.

 

Foto: ATSH{:}