Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=3985]

Kosova dhe Shqipëria do të kenë një kalendar të përbashkët kulturor për vitin 2016. Më 15 shkurt në Tiranë, Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi dhe Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Shala, nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit në fushën e kulturës, duke rënë dakord për përfshirjen e aktiviteteve kulturore të dy vendeve në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor.

Me nënshkrimin e sotëm, Kosova dhe Shqipëria hyjnë në vitin e tretë të bashkëpunimit me Kalendarin e Përbashkët Kulturor i cili vjen në bazë të Deklaratës së përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës.

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e vlerësoi nënshkrimin e Protokollit si një institucion që i bën të ndjehen krenarë, edhe institucionet e Kosovës, ashtu edhe ato të Shqipërisë. “Një urë komunikimi, e cila funksionon përmes institucioneve publike, përmes skenave të ndërkëmbyeshme, përmes nismave të lira. Në krye të tri viteve vendosëm ta njohim këtë realitet në mënyrë institucionale, ta mbështesim, ta forcojmë, duke mos ia lënë rastësisë,  por duke përfshirë  në programet  e institucioneve tona kulturore publike programe të dedikuara, të organizuara, në mënyrë të tillë që artistët të zgjerojnë skenat, që drejtuesit të shkëmbejnë përvojat e drejtimit dhe sidomos publiku të shohë produksione që realizohen në Prishtine e anasjelltas në Tiranë”.

Ministri Kujtim Shala e cilësoi nënshkrimin e Protokollit një vazhdimësi të bashkëpunimit të dy vendeve tona në fushën e kulturës me synimin e avancimit dhe promovimit të kulturës kombëtare brenda hapësirës shqiptare por edhe jashtë saj, duke e konsideruar si një hapjeje të një rruge për shtimin e veprimtarive tjera kulturore.

“Kalendari i përbashkët edhe sivjet synon të avancojë dhe të promovojë kulturën nacionale, brenda hapësirës shqiptare, por edhe jashtë saj, dhe, sikur edhe vitin e shkuar, ne kemi vullnetin që aktivitetet e parapara të realizohen në tërësi dhe të krijohen  mundësi për shtimin e veprimtarive të tjera kulturore në vitet në vijim” tha ministri Shala.

Kalendari kulturor i përbashkët, në tri vjet ka krijuar hapësirën e komunikimit mes artistësh, jo vetëm  mes institucioneve shtetërore, por edhe në mbështetje të skenës së pavarur kulturore. Parë në këtë qasje  Kumbaro shtoi se “Njerëzit e kulturës tregojnë se Kultura Kombëtare nuk është  flamur i tifozerive nacionaliste dhe as slogani i keqpërdorur mjerisht. Ata kanë treguar se Kultura Kombëtare është në radhë të parë pasuri që lindi bashkë me shqiptarët dhe prej shqiptarëve kudo janë, që hapja e kufijve kulturorë dhe zgjerimi i audiencave vetëm krijon terren për begatimin e saj dhe pavarësisht nesh. Nuk është meritë e jona,  por nderi ynë si politikanë të sotëm ta njohim këtë pasuri, t’i mbështesim njerëzit që e krijojnë dhe të bëjmë komunikimin të qëndrueshëm”.

Ndërsa Ministri Shala në përfundim të fjalës së tij shtoi se “Ministria e Kulturës e Kosovës angazhohet për bashkëpunim ndërshtetëror të veçantë dhe esencial në rrafshin e kulturës me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, duke e konsideruar punën e përbashkët në këtë fushë si vijim të njohjes së brendshme shqiptare”.

Bilanci i viti 2015 ishte i bukur dhe i fortë. Teatri Kombëtar në Prishtinë, Festivali i Gjirokastrës, Dokufest, Koncerti i Rona Nishliut në Tiranë, Trupa e Baletit të Tiranës në Prishtinë, Koncerti “Gjurmët” në Tiranë, ekspozita e Galerisë së Arteve të Tiranës në Prishtinë, festivalet që nisin në Kosovë e vijojnë në Shqipëri, filmat gjithashtu.

Kumbaro theksoi në fjalën e saj edhe kontributin e Ministrisë së Kulturës në drejtim të përmirësimit të hapësirës ligjore për bashkëprodhime në fushën e kinematografisë  “Në vitin 2015 ne ndryshuam statutin  e QKK-së për të hapur mundësinë e bashkëproduksioneve dhe falë këtij ndryshimi filmi i regjisores kosovare Blerta Zeqiraj financohet edhe nga QKK e Tiranës. Shpresojmë të ndodhë e njëjta gjë në Kosovë”.

Një tjetër vit i pasur fillon mes skenave tona , një kalendar ambicioz, por jo i mbyllur, ku janë të mirëpritura  nisma të lira. Kalendari nis me koncertin e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve të Tiranës në Prishtinë, me koncertin dedikuar Pavarësisë së Kosovës dhe me ekspozitën e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë së Vlorës në Mitrovicë “103 telegrame në 103 vjetorin e Pavarësisë”  së të gjithë shqiptarëve.

Në  nënshkrimin e Protokollit të Bashkëpunimit në fushën e kulturës, merrnin pjesë Zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës së Reppublikës së Shqipërisë, z. Zef Çuni,  Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, z. Rexhep Hoti  edhe drejtuesit e institucioneve kulturore të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe drejtues të MK dhe MKRS, të cilët diskutuan konkretisht me kolegët homologë për kalendarin kulturor 2016.

Pas nënshkrimit të Protokollit të Bashkëpunimit në fushën e kulturës  dy ministrat dhe delegacioni i Kosovës ndoqën baletin “Arrëthyesi”, premiera e të cilit u dha në TKOB në 14 shkurt 2016.{:}