Ministry of Economy, Culture and Innovation

Shtëpia botuese “Samizdat B92” ka botuar versionin e ri të veprës “Serbët dhe shqiptarët në shekuj”, romanin e Ismail Kadaresë dhe librin e kryeministrit shqiptar Edi Rama “Kurbani” (“Zhrtveno jagnje”- Kurbani)

Botimi i veprës së Kadaresë realizohet në  bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë, në një projekt të përbashkët për botimin e autorëve shqiptarë dhe serbë në gjuhët respektive .

Një prej shembujve më mbresëlënës të dukurisë kontradiktore të artistëve të mëdhenj që krijojnë në diktaturë është edhe Ismail Kadare (1936), shkrimtar shqiptar me famë botërore, kandidat shumëvjeçar për çmimin „Nobel“, romani i vitit 1981 të të cilit “Pallati i ëndrrave” është botuar nga shtëpia botuese beogradase “Samizdat B92”, me përkthimin e Shkëlzen Maliqit.

Kjo vepër flet në mënyrë alegorike mbi sistemin totalitar të Perandorisë Osmane, në të cilën madje edhe ëndërrat njerëzore janë nën kontroll, ndërsa për nga mënyra sesi Kadare evokon vizionin e tij për regjimin e Enver Hoxhës si një lloj skëterre, Maliqi e ka quajtur “Pallatin e ëndrrave” një kryevepër të vërtetë.

Mbi vizionin e tij plot ankth të shpirtit të shtypur njerëzor, Kadare ka thënë: “Prej kohësh më ka tërhequr projeksioni i një vizioni të skëterrës. E dija se është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, pas atyre ‘arkitektëve’ të mëdhenj të deriatëhershëm, siç kanë qenë egjiptianët e vjetër anonimë, Homeri, Shën Augustini apo Danteja. Megjithatë, kur fillova të shkruaj “Pallatin e ëndrrave”, me njëfarë gëzimi, por njëkohësisht edhe shumë i tmerruar, e kuptova se po realizoj ëndërrën time: në tërë strukturën e romanit, si në njëfarë plani të dytë, ravijëzohet pamja e skëterrës. Sa më shumë mendoja për këtë, aq më shumë më bëhej e qartë se këtu bëhej fjalë për njëfarë mbretërie të vdekjes, të përbërë nga gjumi dhe ëndërrat tona, pra nga ajo ana tjetër e qenies sonë, e cila në mënyrë paralele dhe njëkohësisht jeton te ne…”.

 

Duke luftuar diktaturën që nga viti 1960, nëpërmjet subversionit të teksteve letrare, edhe përkundër ndalimit të botimit, në një moment u zgjodh anëtar i parlamentit shqiptar. Ismail Kadare në fund kërkoi azil politik në Francë në vitin 1990. Por megjithatë, ai që djalosh i ri në moshën 26 vjeçare, për pak sa nuk u largua nga delegacioni i shkrimtarëve, i cili, gjatë udhëtimit, u ndalua në Pragë, por nga arratisja e ndaloi një detaj i realitetit letrar. Sepse dhoma në të cilën ishte vendosur për të fjetur ishte e zbukuruar me aq shumë detaje të realizimit socialist dhe aq e shëmtuar saqë ia ktheu mendjen nga arratisja, duke ia përforcuar njëkohësisht pështirosjen ndaj regjimit socialist shqiptar, të përbërë nga stërvitje ushtarake dhe shkatërrim i dinjitetit njerëzor. “Kur kam menduar më vonë se çfarë do të kishte ndodhur nëse atëherë do të ‘arratisesha’, konstatoja gjithë tmerr se asnjë prej romaneve të mia nuk do të ishte shkruar“, ka thënë ai në një rast. Për këtë, nënvizon Maliqi, Kadareja konkludon se diktatura dhe letërsia mund të ekzistojnë përkrah njëra-tjetrës vetëm si dy përbindsha që janë vazhdimisht në duel.

 

Shtëpia botuese “Samizdat B92”  në prag të Panairit Ndërkombëtar të Librit ka ribotuar veprën dyvëllimshe të Petrit Iamamit “Serbët dhe shqiptarët gjatë shekujve”, më saktë, në shqip dhe serbisht, më parë do të botohet versioni i plotësuar dhe i zgjeruar i vëllimit të parë të veprës, këtij studimi të gjerë historik, ndërsa deri në fund të vitit do të publikohet edhe pjesa e dytë, po ashtu në shqip dhe serbisht. Petrit Imami ka lindur në Prizren dhe është shkolluar në Beograd. Është diplomuar në Fakultetin e Dramaturgjisë dhe Arteve Filmike, ku punon edhe sot si profesor i skenarit filmik televiziv. Vitet e fundit i është përkushtuar kërkimeve në fushën e marrëdhënieve politike ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në të kaluarën. Vepra e tij ndjek ngjarjet në Gadishullin Ballkanik që nga skizma e Madhe e vitit 1054 e deri në ditët e sotme.

 

“Në shumë kërkime, shumica e shqiptarëve e akuzojnë Sllobodan Millosheviçin dhe regjimin e tij, dhe jo popullin serb, për të keqen e madhe që ndodhi në Kosovë, për të cilën kanë vuajtur dhe do të vuajnë akoma si serbët e Kosovës ashtu edhe shqiptarët”, shkruan autori.

Libri i Kryeministrit shqiptar Edi Rama, “Kurbani” (“Zhrtveno jagnje”) e gjen rrugën e tij për te lexuesit serbë gjithashtu si një prej publikimeve të “Samizdatit B92”, ndërsa Rama së shpejti do të jetë i ftuar edhe nga ana e botuesit të tij beogradas. Kjo vepër është publikuar që në vitin 2011, kohë në të cilën Rama humbi zgjedhjet për Kryetar Bashkie të Tiranës. Sikurse shprehen në Shtëpinë botuese “Samizdat B92”, në këtë libër Rama ka shkruar rrëfimin e tij programor në një situatë konfliktuale në Shqipëri, e cila është shumë personale, dhe këtë e ka bërë duke ia kundërvënë vizionin e tij për transformime demokratike dhe modernizimin e Tiranës dhe Shqipërisë, atij autoritar të Sali Berishës.{:}