Ministry of Economy, Culture and Innovation

Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro dhe biblioteka lëvizëse e ‘Teta Suelës’ ndaluan tek “Kampionët e leximit”, nxënësit e shkollës, “Pjetër Zarishi”, Blinisht, Lezhë.

Pas një sensibilizimi të MK dhe angazhimit personal të Ministres Kumbaro, kjo bibliotekë lëvizëse u shtua me libra të rinj dhe “kampionët e leximit”, nxënësit e Blinishtit ishin lexuesit e parë të titujve të shtuar, duke komunikuar për çdo vepër dhe autor me Ministren e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro.

“Kampionët” tashmë janë bërë të njohur, pasi rekordi i vendosur prej tyre tregon se kanë lexuar 25 libra për një muaj. Ata janë fëmijë të moshës 7-14 vjeç të zonave të largta rurale të Lezhës, që prioritet jashtë orëve të mësimit kanë leximin që nis që nga gjëegjëzat e deri tek “Ishulli i Thesarit”, “Aventurat e Tom Sojerit”, apo “Kryengritje në Pallat”.

“Edukimi përmes Kulturës” nisi, jo rastësisht, në muajin shtator 2017 nga Lezha. Ministrja Mirela Kumbaro theksoi se “Prej shumë vitesh bibliotekat publike kanë qenë jashtë vëmendjes së bashkive. Arsyeja pse e nisëm këtë projekt nga Lezha, është se në këtë bibliotekë gjetëm dashuri për librin. Prandaj edhe e mirëpritëm projektin e Lezhës “Biblioteka lëvizëse”.

Kumbaro në komunikim me nxënësit rrëfeu historitë e autorëve dhe personazheve të njohur si Gavroshi, Tom Sojerit, apo aventurat e Ana Shirlit, kokëkuqes energjike, e cila shkon të jetojë pranë një familjeje në Grin Gejbëlls dhe fiton zemrat e gjithë atyre që takon aty Kumbaro u shpreh se “Libri ushqen mendjen. Të ushqesh mendjen është tolerancë, emancipim, zhvillim. Të dhurojmë libra dhe të vazhdojmë traditën e kësaj zone që është e njohur për figurat e shquara në krijimtari”.{:}