Ministry of Economy, Culture and Innovation

Galeria Kombëtare e Arteve  do të hapë për publikun ekspozitën vetjake të artistes Lumturi Blloshmi.
Ekspozita sjell në fokusin e aparatit fotografik një fazë të rëndësishme të krijimtarisë artistike të Lumturi Blloshmit. Artistja vjen në këtë ekspozitë përmes fotografive të instalacioneve dhe performancave të realizuara pas viteve ’90. Si një ditar i hapur, ato rikujtojnë mesazhet e fuqishme artistike dhe sociale që Blloshmi i ka transmetuar publikut në ekspozitat e saj personale, apo në grup.
Instalacione, apo performanca që kanë mbetur në kujtesë të shumëkujt si:  Obsession – The Pyramid;  The utopian Road; Ambiguity; The invasion of the space; Paradox; Duality; It’s a Wonderful Life; Is’t a men’s world, do të jenë pjesë e ekspozitës vetjake të Lumturi Blloshmit.
Përveçse si një retrospektivë e 25 viteve të fundit të artit të saj, kjo ekspozitë vjen si një dëshmi e përforcuar se Lumturi  Blloshmi është një nga artistet e para femra që solli mediumin e instalacionit dhe performancës në Shqipëri.
Puna  e saj në artin pamor nisi në vitet 1973 – 1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek peizazhi dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90,  Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve.

Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Egjypt). Gjatë viteve ‘89–‘91, çeli dy ekspozita vetiake në GKA. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në  Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hag, New York etj. Është fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ‘94”. Vitet e fundit Lumturi Blloshmi është prezantuar me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë. 21 JANAR  – 10 SHKURT  2016, GKA{:}