Ministry of Economy, Culture and Innovation

Më datë 10 Shtator 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të prezantojë për publikun në sallën e ekspozitave të përkohëshme,  ekspozitën “Maks Velo – Retrospektivë”

EKSPOZITA E KURUAR NGA SUZANA VARVARICA KUKA, ËSHTË NJË PREZANTIM I RETROSPEKTIVËS SË KRIJIMTARISË SË PIKTORIT DHE ARKITEKTIT MAKS VELO DHE DO TË SHPALOSË PËR PUBLIKUN GJATË MUAJIT SHTATOR, PANORAMËN MË DINJITOZE TË EKSPOZIMEVE TË ARTISTIT. EKSPOZITA MERR PËRSIPËR TË BËJË PUBLIKE JO VETËM PUNIMET E ARTIT TË MAKS VELOS, TË CILAT JANË NË TEKNIKAT E PIKTURËS – NË VAJ E AKRILIK; NË TEKNIKAT E GRAFIKËS – NË LAVI DHE BOJË KINE; NË VIZATIM – LAPS E PASTEL; NË SKULPTURË – BRONZ E ALLÇI, POR PËRMES TYRE I PROPOZOHET PUBLIKUT TË ZBULOJË RITMIN E KRIJIMIT, NDIKIMET MBI KRIJIMIN, TRANSFORMIMET DHE PROVAT E ARTISTIT NGA NJË GJINI NË TJETRËN, SI DHE NGA NJË TEKNIKË NË TJETRËN.

VEPRAT E EKSPOZUARA DEMONSTROJNË NË MËNYRË TË QARTË TRYSNITË E KOHËVE MBI ARTISTIN.

Galeria Kombëtare e Arteve, duke njohur personalitetin e Maks Velos, ka zbuluar jetën artistike dhe mbijetesën e tij njerëzore që nga vitet 1960-të e deri në ditët tona. Proçesi i njohjes e veçon artistin Maks Velo për vlerat e veçanta që mban krijimtaria e tij, për rrugën “rebele”, sesi ajo u zhvillua në kohët komuniste, për mbijetesën e artistit në mungesë të lirisë, për këmbënguljen e tij në debatin social, politik dhe ekonomik mbi cilësinë e jetës së individit dhe të shoqërisë shqiptare. Në këtë atmosferë zhvillimesh të artit shqiptar, ekspozita retrospektivë e Maks Velos dhe albumi që shoqëron ekspozitën janë shenja vetjake e artistit në hapësirën e madhe të saj.

 

MAKS VELO LINDI NË PARIS NË VITIN 1935. ËSHTË DIPLOMUAR NË FAKULTETIN E INXHINJERISË SË NDËRTIMIT NË TIRANË. DERI NË VITIN 1973 KA PROJEKTUAR BANESA, HOTELE, SHKOLLA, PARQE E KINEMA NË TIRANË, NJËKOHËSISHT KA DHËNË LEKSIONE NË LËNDËN E PERSPEKTIVËS NË ILA NË TIRANË. ËSHTË PO KY VIT KUR FILLON TË KRITIKOHET SI ARTIST NË KONFERENCËN E PARTISË SË TIRANËS PËR ARTIN DHE LETËRSINË, E MË PAS NË VITIN 1975 KRITIKOHET SËRISH NGA KONFERENCA KOMBËTARE PËR ARKITEKTURËN KU U AKUZUA PËR TENDENCA MODERNISTE NË PROJEKTET E TIJ.

Në vitin 1978 Maks Velo arrestohet dhe pasi kalon 6 muaj në hetuesi, dënohet me 10 vjet heqje lirije, në burgun e Spaçit dhe me punë të rëndë të detyruar. Me vendim gjyqi i digjen 246 vepra dhe i konfiskohen të gjithë koleksionet dhe librat. Maks Velo refuzoi disa herë kërkesën për të qënë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, si pasojë u dënua që pas burgut të punpojë si  punëtor i thjeshtë dhe të mos e ushtrojë profesionin e tij të arkitektit. Pafajësia e tij shpallet nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë në vitin 1991. Rikthehet të jetojë disa kohë në Paris, ndërkohë që mer nënshtetësinë amerikane.

Maks Velo ka hapur 40 ekspozita personale në Shqipëri, Francë, Poloni, ShBA. Ai ka botuar dhjetra studime mbi artin popullor në revistat shkencore, ka botuar dhjetra artikuj mbi artin, ka shkruar dhjetra libra me kujtime, libra letrarë dhe ese. Ka botuar disa albume me veprat e tij dhe të tjerë me vepra të artistëve shqiptarë dhe është aktiv në jetën publike shqiptare.

Konferenca për shtyp mbi hapjen e ekspozitës do të zhvillohet më datë 10 Shtator, ora 11.00.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 04 tetor 2015.

10 shtator – 04 tetor 2015 , GKA{:}